Kreu i PAA-së, Agron Duka njofton themelimin e "Sindikatës së Fermerëve të Bashkuar", nga rrethet Fier, Berat, Lushnje dhe Elbasan, të cilin e quan një moment historik.

Përmes një postimi në "Facebook", Duka shkruan se në këtë panoramë të errët për vendin tonë, ky është një lajm i mirë për bujqësinë.

"Një fjalë e urtë thotë se ‘jo çdo e keqe vjen për keq’. Me këtë frymë, duke e kthyer krizën e sektorit të bujqësisë në një mundësi për ndryshim, fermerët e rretheve Fier, Berat, Lushnje dhe Elbasan u bashkuan sot për të themeluar ‘Sindikatën e Fermerëve të Bashkuar’.

Një moment historik, i cili vjen nga një ndërgjegjësim për rolin e rëndësishëm që këta njerëz punëtorë kanë në shoqërinë tonë, si dhe për vetëdijen se nuk janë qeveritë ato që e bëjnë një vend më të mirë, por reagimi i qytetarëve ndaj tyre, kërkesa e llogarisë dhe dialektika e vazhdueshme me grupet e interesit. Në këtë panoramë të errët për vendin tonë, ky është një lajm i mirë për bujqësinë. Ne si Parti Agrare Ambientaliste e kemi mbështetur dhe do ta mbështesim këtë lëvizje, si një hap të rëndësishëm për forcimin e zërit të çdo fermeri, si dhe urojmë një punë sa më të mbarë kryetarit të saj z. Eduart Sharka", shkruan Duka.