Monika Kryemadhi deklaron se kryeministri Edi Rama kërkon një kryeprokuror të ri sepse do ta ketë nën pushtetin e tij organin e akuzës në Shqipëri.

E ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur”, kryetarja e LSI-së u shpreh se pretendimi i socialistëve për të zgjedhur kreun e prokurorisë përmes KLP-së (Këshilli i Lartë i Prokurorisë) është i gënjeshtërt, pasi ky organ akoma nuk është mbledhur.

“Reforma në drejtësi u bë me moton për ta depolitizuar dhe për ta larguar drejtësinë nga kthetrat e korrupsionit. Por reforma në drejtësi s’paska qenë gjë tjetër, veçse një mënyrë për të hequr nga një dorë, dhe për ta çuar në dorën tjetër. 

Dhe tani dalin dhe shkarkojnë Prokurorin e Përgjithshëm dhe duan të zgjedhin një të ri. Me pretendimin ta zgjedhë Këshilli i Lartë i Prokurorisë, një këshill që nuk mblidhet. A e dini se Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është mbledhur ende, pasi Shoqëria Civile nuk ka kandidatë. Kaq e vështirë qenka të gjejnë një kandidat? Por me sa duket po e bëjnë sa të kalojë kjo çështja e Habilajve. 

Ose nuk kanë një kandidat të lehtë për ta kontrolluar. Se këtë kryeprokuror që ka nuk e kontrollon dot dhe do një që ta ketë në dorë”, u shpreh Kryemadhi.