Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka treguar mbrëmjen e sotme një detaj të pabërë publik më parë.

Ajo ka treguar se nuk ka qenë e pranishme në darkën e famshme mes Ilir Metës dhe Edi Ramës të mbajtur në Lalz.

“Jo nuk kam qenë e pranishme. Dëshmitari i vetëm është Nar Koka”, ka thënë Kryemadhi ne syri.net.

"Unë di të them këtë gjë që Edi Rama është një rrezik kombëtar. Që Edi Rama duhet t’i hapë rrugën Shqipërisë për të filluar negociatat me BE, duke u larguar. Që Edi Rama ka shkatërruar marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA me votimin që ka bërë në OKB duke vënë në pikëpyetje shumë gjëra të tjera që nuk i shohim ne në jetën e përditshme, por do t’i shohim më vonë kur të vijmë në problemet e sigurisë dhe në problemet që do të ketë nevojë Shqipëria për rolin dhe përkrahjen e SHBA në tryezë. Sepse janë gjëra që kanë të bëjnë me sigurinë dhe shumë e shumë gjera të tjera në të ardhmen. Pra, nuk është thjesht buka e përditshme e njerëzve. Se kush do jetë Kryeministër nuk më intereson fare. Kushdo kryeministër që të vijë i propozuar nga mazhoranca, e cila është një mazhorancë me mandate të kapura nga krimi i organizuar, LSI nuk e njeh. LSI do të njohë çdo lloj mandati kryeministri në momentin që vjen me mandate të pastra, që vjen nga zgjedhje të lira, të pa blera dhe nga zgjedhje të cilat bëhen si në çdo vend tjetër evropian",– tha ndër të tjera ajo.