Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka dalë para mediave, menjëherë pasi kreu i PD-së Lulzim Basha ka mbaruar fjalën e tij në parlament.

Kryemadhi deklaroi se e vetmja zgjidhje është dalja në rrugë, pasi me këtë mazhorancë sipas saj nuk ka më shpresë, ndaj iu bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të bashkohen në protestë më 26 maj.

"Çdo ditë dhe më shumë nuk ka më shpresë për të pasur besimin se kjo mazhorancë e kapur mund të ndryshojë. Kjo mazhorancë ka frikë jo vetëm nga fjala e lirë, por ka frikë nga çdo gjë që dëshirojnë qytetarët. Sot tregoi dhe njëherë se nuk ka të ardhme me këtë grup kriminal që kanë uzurpuar dhe rrëmbyer institucionet e shtetit, kanë uzurpuar parlamentin. Nuk ka më shpresë me këtë mostër të prodhuar nga trafiku dhe bandat që jo vetëm kanë varfëruar shqiptarët, por i kanë denigruar, i kanë masakruar jo vetëm ekonomiksiht por edhe shpirtërisht. Ngjarja sot në kuvend tregon se s'ka zgjidhje, e vetmja zgjidhje është jo vetëm dalja në rrugë por përmbysja dhe lëvizja e çdo segmenti kriminal që ka uzurpuar institucionet tona dhe për të dalë dhe për ti thënë Ramës që ti ke ngelur vetë. S'ka ngelur gjë tjetër vecse një tellall i dalë bojë që mundohet të ndryshojë fasadën e trupit të tij me ngjyra ngjyra, por për hir të së vërtetës është i vetëm jo vetëm në kauzën e tij politike narkomane, por është i vetëm në përballje me drejtësinë që do ta bëjnë shqiptarët. Në datën 26 maj shqiptarët të jenë në bulevard për ti thënë Ramës që shqiptarët janë kundër tij, kundër politikës së drogës. Protesta është atje, ne mund të jemi organizatorët, mund të jemi inisiatorët, por ne tashmë jemi peng i qytetarëve dhe do të bëjmë atë çfarë kërkojnë qytetarët në protestë."