Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e shoqëruar edhe nga përfaqësues të tjerë të kësaj partie vizitoi sot selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, nga ku përcolli urimet për festën e Kurban Bajramit.

"Për gjithë besimtarët myslimanë dhe për gjithë shqiptarët në fakt në këtë ditë të sakrificës dhe të flijimit të ditës së Kurban Bajramit dua t'u uroj paqe, begati, mirësi dhe të ndajmë mirësinë me njëri-tjetrin, të ndajmë begatinë me njëri-tjetrin dhe të largojmë urrejtjen dhe dëshpërimin nga njëri-tjetri.

Sot në këtë ditë të shënuar, na kujton të gjithëve të reflektojmë, që jemi të barabartë përpara Zotit, le të jemi përsëri vëllezër me njëri-tjetrin, të jemi përsëri të angazhuar me njëri-tjetrin për të bërë mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë", tha Kryemadhi.

Më tej ajo uroi edhe gazetarët, që edhe pse në ditë pushimi, janë në shërbim të qytetarëve për t'i informuar ata.

"Mbarësi, begati dhe të mira paçi në familjet tuaja".