Kudo që shkon kryeministri Edi Rama sulmon jo vetëm opozitarët, por edhe presidentin Ilir Meta pasi ky i fundit anuloi datën e zgjedhjeve lokale. Nga Korça, Rama sërish hodhi akuza ndaj kreut të shtetit.

“Argumentet e Presidentit ishin filxhani që i ka lexuar fallxhorja në mëngjes. I anulova zgjedhjet thotë se kisha burime të sigurta se në 8 qershor do ndodhte hataja. Në filxhan ka dalë zjarr Liri, zjarr. Çohu tani dhe përmbyse filxhanin. Por jo ky është plan i mirë menduar për t’i ikur drejtësisë”, tha Rama.

Të njëjtat akuza përsëristi shefi i qeverisë dhe nga Erseka. Por një përgjigje ka marrë dhe nga kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, të cilën ai e etiketon si “fallxhorja”.

“Shpjegoju shqiptarëve si e ke vënë shtetin ne shërbim te krimit. Dhe jo vetëm për trafiqet e drogës, pastrimin e parave, por për atë që të është bërë hall shumë i madh dhe nuk të lë as të flesh. Përdorimin e policisë dhe prokurorisë në shërbim të ca bandave, që blejnë votat për ty, kundër disa bandave të tjera. Asgjë më pak se në Chicago e viteve 20 të shekullit të kaluar. Këtu e ke çuar shtetin e shqiptarëve”, shkruan ndër të tjera Monika Kryemadhi.