Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, është duke zhvilluar në Durrës një takim me strukturat e partisë në qytetin e Durrësit.

Kryemadhi shoqërohej në takimin partiak në qytetin bregdetar nga Leonard Koka, një eksponent i njohur i LSI-së në qytet dhe nga kryetari i komanduar Nasip Naço.

Kujtojmë se dega e Durrësit është prej gati një viti me kryetar të komanduar, pasi ish-kryetari Lefter Koka, u përjashtua nga rradhët e LSI-së, sepse doli kundër vendimit të partisë për të dorëzuar mandatin e deputetit, në shkurt të 2019-ës.

Në takimin me strukturat e LSI-së, Nasip Naço deklaroi se në Durrës, kjo forcë politike do të realizojë një fitore edhe më të madhe sesa në vitin 2017. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, LSI Durrës fitoi dy deputetë, Lefter Kokën dhe Nora Malajn. Mandati i Malajt u mor vitin e kaluar nga deputetja e opozitës së re Edlira Hyseni, e cila njësoj si Lefter Koka është përjashtuar nga strukturat e partisë.

LSI-ja do t’i nënshtrohet ditët në vijim zgjedhjes së kreut të degës, kryetares së LGI-së dhe kryetarit/es së Forumit Rinor. Gjatë takimit, kryetarja Kryemadhi shpërndau edhe disa karta anëtarësie për të rinjtë që iu bashkuan Forumit Rinor të LSI Durrës.