Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, zhvilloi pasditen e sotme një takim me strukturat në Tiranë për të ndarë punët e partisë për organizimin për zgjedhjet e 25 prillit.

Kryemadhi tha se ditën e hënë do të prezantojë programin e LSI-së dhe më pas puna në terren do të jetë e koordinuar me PD-në.

“Ditën e hënë do të jetë prezantimi i programit tonë jo vetëm elektoral, por të gjitha angazhimeve tona që ne si LSI do të mbajmë. Na ndajnë 94 ditë nga sot. Nesër hyn dita e 93-të që ka lidhje drejtpërdrejti me 25 prilli ku tashmë të gjithë ne duhet të jemi në gatishmërinë numër 1. Nuk ka më kohë për të humbur. Çdo ditë e humbur është në favor të varfërisë, papunësisë, shpopullimit. Dhe çdo sekondë e fituar është në favor të një të riu, një të reje, për të pasur një vend pune më të mirë, për të pasur një familje më të fortë, për të pasur një Shqipëri më me integritet dhe një Shqipëri dinjitoze për të cilën ne të gjithë e aspirojmë dhe e kemi të domosdoshme. 
Çdo ditë dhe më shumë tashmë do t’i keni kontaktet më të rralla me mua, por do i keni kontaktet më të shpeshta me njëri tjetrin  dhe do të jemi në një metodologji komplet tjetër për sa i përket punës në terren, që do të vazhdojë hap pas hapi dhe me koordinimin e listës së PD-së, apo strukturat e saj në zonë, që ju keni pasur kontaktet tuaja, por tashmë që edhe ata po shkojnë drejt një mbylljeje përfundimtare të marrëdhënies së tyre me partitë e koalicionit, dhe ne nga ana tjetër po kështu, do të jemi pastaj drejtpërdrejtë në terren dhe nuk do të ketë më asnjë lloj kohe për të humbur.”
– tha Kryemadhi.