Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së, akuzoi kryeministrin Edi Rama se me paratë e drogës mund të blejë ndërkombëtarë, diplomatë, makina, vota dhe zgjedhje, por kurrë nuk do të blejë shpirtin e shqiptarëve. 

Në konventën e LGI-së, Kryemadhi deklaroi se Edi Rama për të shpëtuar karrigen e tij të kryeministrit është i gatshëm që edhe diplomatët t'i kthejë në narko-diplomatë.

“Sot jemi në një udhëkryq midis të ardhmes dhe shpërbërjes, Shqipëria po mblidhet nga hallet që po e kërruset çdo ditë. Shqiptarët po varfërohen çdo ditë dhe më shumë. Po kërruset nga një grup njerëzish. I them këto fjalë pasi ndjej dhimbje, revoltë dhe përgjegjësi. Misioni im është t’ju udhëheq juve së bashku me Klajdën, Irisin etj. Ky mision bëhet i mundur me bashkëpunimin e të gjithëve. Ta shpëtojmë rininë tonë e cila po ikën çdo ditë e më shumë. Ta shpëtojmë edhe kryeministrin e rënë. Me paratë e tyre blejnë institucione dhe vota, blejnë ndërkombëtarët, por harron se Edi Rama është pronë e drogës, krimit, makthit të tij. Ky njeri nuk mund të zhdukë fobitë e tij për të larguar shqiptarët. Ky njeri nuk mund t’i shpërndajë shqiptarët”, tha Kryemadhi.

Në vijim ajo akuzoi kryeministrin Rama se është pronë e drogës, oligarkëve, makth i pushtetit të tij, pronë e së keqes.