Kryeministri Italian Xhuzepe Conte ka mbërritur ditën e sotme në Shqipëri, ku u prit nga homologi i tij Edi Rama. Dy kryeministrat dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku folën në lidhje për bashkëpunim mes dy vendeve si dhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Rama ka thënë në konferencën për mediat se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meritojnë hapjen e negociatave me BE, ndërsa falënderoi Italinë për mbështetjen e saj ndaj Shqipërisë dhe rajonit.

“Dita e sotme ishte e ngarkuar me punë, por jemi këtu për të dëshmuar një miqësi tradicionale dhe njëkohësisht për të shprehur vullnet të thelluar bashkëpunimi të shkëlqyer mes dy vendeve, ku pa diskutim ka shumë për të bërë akoma më tepër. Pa diskutim që vizita e kryeministrit italian në Tiranë sot është në kuadrin e një datë të rëndësishme për Europën dhe Shqipërinë, ku ndër të tjera do diskutohet edhe vendimi për çeljen e negociatave me Tiranën. Prandaj dua të falënderoj kryeministrin Conte dhe qeverinë italiane që nuk janë lëkundur për asnjë moment në mbështetje të Shqipërisë, Maqedonisë Veriore dhe gjithë këtij rajoni në perspektivën për t’u anëtarësuar në BE. Shqipëria dhe Maqedonia e veriut meritojnë hapjen e negociatave. Ne nuk jemi në këtë proces se na kërkon Be, por se atë e kërkon e ardhmja dhe se po luftojmë për një Shqipëri europiane, për shtet të së drejtës dhe demokraci të zhvilluar”,- tha Rama.

Ndërkohë, kryeministri italiane, Xhuzepe Conte i ka bërë thirrje politikës shqiptare të ulen për të zgjidhur krizën politike në vend. Gjatë konferencës së mbajtur me kryeministrin Ram, Conte theksoi se mazhoranca duhet t’i propozojë opozitës një platformë për zgjidhjen e krizës, ndërsa theksoi se dialogu duhet të zhvillohet pa kushte nga të dyja palët.

“Populli është shprehur pro anëtarësimit në BE, dhe kjo përbën një tjetër shtysë. Rama më konfirmoi se është i vendosur që të vijojë në këtë rrugëtim, në realizimin e reformave, kryesisht të Reformës në Drejtësi. Një pjesë e bisedës sonë u ndal te bashkëpunimi më i thelluar në luftën ndaj kriminalitetit dhe trafiqeve të paligjshme. Vëmendja jonë është përqendruar te aftësia e Shqipërisë për të zgjidhur krizën politike, që do bëjë dhe një sinjal të pjekurisë politike dhe institucionale. Mazhoranca dhe opozita kanë interes ta zgjidhin këtë krizë. Është e rëndësishme që mazhoranca t’i propozojë opozitës një platformë për zgjidhjen e krizës dhe dialog të zhvillohet më tej pa kushte”, deklaroi kryeministri Conte.