Kreu i opozitës Lulzim Basha ka komunikuar vendimet e marra nga Kryesia e forcës më të madhe të opozitës, menjëherë pas përfundimit të saj.

Basha tha se kryesia mori vendim për hartimin e një kalendari protestash në të gjithë vendin deri në largimin e Edi Ramës. Lideri i opozitës tha se protestat do të ndërthuren me shpalosjen e strategjisë së PD për zhvillimin e vendit.

Basha theksoi se synimi është largimi i Edi Ramës dhe në të njëjtën kohë përcaktimi i kandidaturave më të denja të opozitës për zgjedhjet e parakohshme.

"Vendimi i parë i kryesisë ka të bëjë me hartimin e një kalendari protestash në të gjithë vendin për largimin e Ramës. Vendim tjetër ka qenë ngritja e shtabeve politike dhe organizative që në bashkëpunim me partitë e tjera të opozitës për organizimin e protestave të fuqishme popullore në mbarë vendin. Shpalosja e programit të PD. E kemi bërë për ekonominë në bashkëpunim me ekspertët gjermanë. Kemi bindjen e plotë që Shqipëria do të ketë një të ardhme europiane. Sa i përket arsimit, anullimin e koncensioneve në shëndetësi, pendionet, biznesin dhe sipërmarrjen për hapjen e vendeve të punës dhe zhvillimit të ekonomisë. Bëhet fjale për një ndërthurje të turit të protestave me turin e shpalosjes së programit tonë. Synimi ynë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe përcaktimi i kandidaturave më të denja të opozitës për këto zgjedhje.",- tha Basha.