Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka akuzuar sot kreun e Bashkisë Erion Veliaj se po e zhduk zonën historike të Tiranës.

Akti i fundit i tij, sipas Këlliçit, është rrënimi i kullës së Sahatit. Në një dalje për mediat demokrati tha se kulla e Sahatit, nga simbol i kryeqyetit po kthehet nga Veliaj në orë muri i oligarkëve, miq të tij.

DEKLARATA E KËLLIÇIT

Jemi sot këtu në zonën historike të qendrës së Tiranës, për t’ju treguar sërish një nga premtimet e mbajtura të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj.

Në qershor të vitit 2016, pasi shpenzoi disa miliona lekë për t’i hedhur një bojë kullës së Sahatit, Erion Veliaj ftoi të gjithë kryeqytetasit për të ngjitur 90 shkallët e kësaj kulle dhe në lartësinë 35m të kullës të shijonin pamjen fantastike që të ofronte qendra e Tiranës dhe kryeqytetit.

Nguliteni mirë në mendje këtë pamje!

Sepse pas pak muajsh nuk do t’a shohim më kullën e Sahatit.

Kjo për shkak të ndërtimit në krah të saj

të disa përbindëshave prej betoni, që fillojnë me 5 kate, ngjiten në 11 kate, në godinën që është në krah të kullës — pa respektuar as minimumin e distancës — dhe mbaron me kryeveprën e Veliajt, që i dhuron qendrës muzeale të qytetit kullën 27 kate.

Në vetëm 4 vite, Erion Veliaj ia doli që kullën e Sahatit t’a shndërrojë nga simbol të qytetit në orën e murit të oligarkëve, miq të tij.

Kjo është fytyra e vërtetë e Erion Veliajt!

Paratë e taksapaguesve shpenzohen për propagandë dhe fasadë, ndërkohë që tashmë kryeqytetit do t’i zhduket dhe memoria e tij historike. Do t’i zhduket dhe kulla e Sahatit, simbol i kryeqytetit tonë.