Ish-kryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj ka reaguar për situatën e krijuar me ngërçin në Gjykatën Kushtetuese.

Në një postim në Twitter, Xhafaj shkruan se Marsida Xhaferllari nuk plotëson kriteret për të qenë anëtare e Kushtetueses.

POSTIMI I PLOTË

Në web e GjK znj.Tusha ka botuar listën e anëtarëve të rinj! Pyetja është kë të besojmë, znj.Tusha n/kryetare të KED që ka shpallur znj.Vorpsi fituese apo znj.Tusha gjyqtare që nuk respekton as vendimin e organit që drejton. Në cilin kuorum të GjK u bazua kjo vendimmarrje?

Në bindjen time znj.Xhaferllari nuk mund të jetë anëtare e GjK. Nuk plotëson kushtet dhe kriteret për të qenë e tillë. Votimi klientelist dhe lidhjet shoqërore brenda KED e përfshinë në listë ish Kryeinspektoren e KLD së vjetër që degradoi sistemin.

Presidenti, sipas meje, në këtë rast nuk ka të drejtë. Ka nxjerrë një dekret të paligjshëm në tejkalim të afatit ligjor. Nuk të bën betimi gjyqtare, por kushtetueshmëria e zgjedhjes nga organi që e gëzon këtë të drejtë, me afatet e procedurën e duhur.

Kushtetuta që Presidenti e ka votuar, por nuk e ka shkruar, është produkt i Ekspertizës më të mirë vendase e Opinioni i KV ka theksuar qartë domosdoshmërinë e afateve & mekanizmave zhbllokues. Partnerët bashkëhartues të kushtetutës e ligjit të GjK duhet të reagojnë qartë.

Zbatimi i Reformës kërkon axhendë të qartë veprimi, angazhim e përgjegjshmëri dhe kryesorja objektivitet e paanshmëri. Situata e koklavitur, jo për faj të kushtetutës e ligjit, por gabimeve në zbatim. Pasojë e mendjeve të nxehta e qëllimkëqija.

Kur arsyeja mungon, fryma dhe gërma e kushtetutës lexohen keq, duhet reagim. Kryesorja me mekanizma politikë, por edhe me veprime të mirëmenduara ligjore, institucionale dhe gjyqsore. Nëse duhet ka edhe precedentë e ekspertizë ndërkombëtare.