Kuvend, Rama: Bazë e re ligjore, për mbajtjen dhe përdorimin e armëve

05/12/2013 - 16:55

Tiranë, 5 dhjetor 2013- Do të nisë shumë shpejt puna për një bazë të re ligjore, për mbajtjen dhe përdorimin e armëve, kështu u shpreh Kryeministri Rama sot gjatë fjalës së tij në Parlament. Duke marrë shkas nga ngjarja e rëndë e ndodhur dje në qytetin e Durrësit ku mbeti i vrarë një i ri, Kryeministri Rama u shpreh se, problemi i kriminalitetit në Shqipëri është shumë më tepër se sa problemi që ne kemi me krimin e organizuar apo korrupsionin. Gjithashtu, Kryeministri nënvizoi faktin se për të shmangur ngjarje të tilla Qeveria po punon për të rimëkëmbjen e marrëdhënieve mes mësuesve, nxënësve dhe prindërve duke punuar për të  kthyer shkollat në qendra komunitare.

“E kemi thënë kohë më parë se, një shkollë e cila nuk mban asnjë lidhje me prindërit, është e destinuar të dështojë dhe se një proces veprimi në shkollë, i cili është i shkëputur nga jeta nën çatinë e shtëpisë së fëmijës apo nxënësit, është e destinuar të dështojë. E, për këtë arsye, kemi ngritur zërin kohë më parë. Kemi futur në program dhe tani kemi filluar të punojmë, për t’i kthyer shkollat në qendra komunitare”, u shpreh Kryeministri Rama.

 

Fjala në Kuvend e Kryeministrit Edi Rama:

E vërteta është që sot i takonte këtij parlamenti që me vetëpërmbajtje, të imponuar nga tragjedia e djeshme, të gjente arsyen për ta parë atë që ndodhi dje, si një shembull kuptimplotë dhe ulëritës, qoftë të një rrënimi të madh moral dhe institucional, qoftë edhe të një nevoje të madhe për të qenë bashkë që të gjithë në këtë sallë, në emër të atyre fëmijëve që shkojnë në shkollë, të atyre prindërve që presin fëmijët të kthehen nga shkolla, të atyre gjyshërve dhe gjysheve, që meritojnë së paku qetësi lidhur me sigurinë e mbesave e të nipërve nëpër shkolla.

Enver Hoxha ka bërë me siguri shumë të këqija, pa asnjë dyshim. Njëra nga të këqijat është që i la peshqesh lëvizjes demokratike një kloun, i cili tani që është edhe në një moshë që ka bërë të vetën, vjen këtu e përdor këtë podium si oturak për të kryer nevojat personale dhe ikën. Ikën, nën duartrokitjet tuaja, që ngjajnë si duart që mbajnë oturakun. Ndërkohë që, e vërteta e dhimbshme është, që në fakt, jo vetëm një njeri, por një opozitë e tërë e lindur nga një nevojë historike për t’i dhënë këtij vendi diçka krejt tjetër, sot është kthyer mbrapa më shumë se  asnjëherë  tjetër.

Megjithatë, ndryshe nga vitet e  shkuara, kur me shumë më tepër vetëpërmbajtje dhe shumë me tepër dëshirë për të parë përtej ngjarjeve të panumërta tragjike që kanë ndodhur, unë nuk dua t’i them askujt, nga ata që dje, sot, përdorën fjalën për të shfrytëzuar atë që ndodhi, për të goditur Policinë e Shtetit, se po bëjnë politikë me vdekjen. Sigurisht, është politika  e nivelit më të ulët, po prapë politikë është. E, si gjithmonë është e drejta e secilit, ta bëjë politikën ashtu siç e mendon dhe fundja fundit prandaj jeni aty ku jeni sot, sepse politikën e bëtë siç e menduat dhe e menduat realisht, jo vetëm gabim, por si një  instrument  për të fyer vijimësisht inteligjencën e shqiptarëve. Shqiptarët janë shumë më tepër inteligjent se kaq dhe shqiptarët meritojnë shumë më tepër se kaq  nga opozita. Sigurisht, meritojnë shumë më tepër se kaq dhe nga ne, që sot sapo kemi filluar të bëjmë për shqiptarët atë që meritojnë. Sigurisht që, nuk duhet ndonjë inteligjencë shumë e madhe për të kuptuar se ajo që ndodhi dje, ndodh, por, duhet sigurisht inteligjencë  për të kuptuar se çfarë do të thotë për ne, ajo që ndodhi dje. Në këndvështrimin tim do të thotë, se problemi i kriminalitetit në Shqipëri është shumë më tepër, sesa problemi që ne kemi, me krimin e organizuar, apo me vetë kriminelët.

Problemi me kriminelët në Shqipëri është sot, një problem kulturor, me të cilin ne duhet të përballemi frontalisht dhe jo vetëm në atë segment që përfshin detyrimet e Policisë së Shtetit, por një segment shumë më të gjerë, që përfshin pa as më të voglin dyshim detyrimet e shkollës dhe të shoqërisë. E, padyshim duke kuptuar gjerësinë e këtij problemi, duke kuptuar thellësinë e këtij problemi, duke kuptuar se nëse sot ne nuk veprojmë, nesër, ata minorenë që ekspozojnë armët dhe nxjerrin veten në fotografi me armë, duke ndjekur modelet që, fatkeqësisht, u ofruan me vite si modele të suksesit dhe të imponimit mbi të tjerët, nesër, do të jenë gjenerata tjetër e prindërve të një vendi fillhumbur. Pikërisht, për këtë arsye ne, e kemi para parë, përpara sesa të merrnim të drejtën për ta zbatuar, atë që është plani që i duhet Shqipërisë, betejën me krimin, por më shumë se kaq betejën me kriminalitetin si një fenomen, që vit pas viti, po bëhet gjithmonë e më shumë pjesë e kulturës së bashkëjetesës, sidomos mes më të rinjve, sidomos akoma mes minorenëve. Bashkëjetojnë në të njëjtat hapësira minorenë që kërkojnë rrugën e  suksesit përmes marrjes së mësimeve dhe të dijeve dhe minorenë të armatosur. Të gjithë së bashku jo prodhim i vetvetes, ende, por prodhim i asaj që është mbjellë në radhë të parë këtu në këtë sallë, për vite të tëra dhe që është mbjellë pastaj në vijim të kësaj salle, në keqqeverisjen për vite të tëra këtij vendi.

E pra, ne padyshim e kemi shumë të qartë që duhet ndërhyrja energjikisht për të çarmatosur Shqipërinë. Shqipërinë që, sot, për shkak të pasigurisë ekstreme të jetës dhe të pronës që u krijua vit pas viti është armatosur për të mbrojtur shtëpinë, për të mbrojtur pronën, për t’u vetëmbrojtur nga e keqja dhe ende më keq akoma është armatosur për të agresuar ata, që janë më të pa mbrojtur. Po kjo është shumë më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Plani duhet të nisë dhe do të nisë shumë shpejt, në një bazë të re ligjore për mbajtjen dhe përdorimin e armëve. Për këtë arsye ne nuk jemi ngutur qysh në dy muajt e parë me aksione, që janë të destinuara të mbeten jo vetëm sporadike, por edhe të pasuksesshme, në rast se në radhë të parë nuk vendosim një bazë të re ligjore dhe nuk bëjmë një punë intensive komunikuese, përpara sesa të fillojmë në mënyrë kapilare, kontrollin për armët dhe ndëshkimin për armëmbajtjen e paautorizuar.

Natyrisht që paralelisht, lufta e nisur ndaj krimit dhe korrupsionit, e cila është jo e suksesshme, por është absolutisht e efektshme bën punën e vet, por as kjo nuk mjafton, sepse e tërë veprimtaria e Policisë së Shtetit në të gjithë gamën e vet, është e pamjaftueshme në rast se, nga ana tjetër, ne nuk ndihmojmë me politikat tona, me vendimmarrjen tonë shoqërinë të rimëkëmbet, komunitetet të rimëkëmben dhe marrëdhëniet mes mësuesve, nxënësve dhe prindërve të rimëkëmben. E kemi thënë kohë më parë se, një shkollë e cila nuk mban asnjë lidhje me prindërit, është e destinuar të dështojë dhe se një proces edukimi në shkollë, i cili është i shkëputur nga jeta nën çatinë e shtëpisë së fëmijës apo nxënësit, është i destinuar të dështojë. Për këtë arsye, kemi ngritur zërin kohë më parë. Pastaj kemi futur në program dhe tani kemi filluar të punojmë, për t’i kthyer shkollat në qendra komunitare. Pikërisht për këtë arsye, jemi angazhuar dhe kemi filluar punën që marrëdhëniet e prindit me shkollën, të jenë marrëdhënie të institucionalizuara, përmes kontaktit sistematik që çdo shkollë duhet të mbajë me prindin, jo vetëm në formën e takimeve, por në formën e komunikimit me shkrim të ecurisë së çdo fëmije. Praktikë e njohur botërisht dhe praktikë e refuzuar kategorikisht për vite me radhë, këtu në Shqipëri.

E për këtë arsye, ne kemi parapëlqyer që procesin e ristrukturimit të të gjithë trupës drejtuese të arsimit ta kryejmë me konkurse që janë të hapura, janë demokratike dhe janë transparente. E, nëse ndodh që një konkurs ta fitojë dikush që në jetën e tij ka bërë edhe vullnetarizmin, në funksion të ideve dhe të përpjekjeve tona si Parti Socialiste, jo vetëm nuk është mëkat, por përkundrazi, kjo është një e drejtë që nuk i mohohet askujt dhe as atij vetë.

Është shumë e thjeshtë për të gjithë ata që duan t’i përflasin, apo akoma më keq, t’i s’kualifikojnë këto procese si montazhe. Nuk na detyron as ligji që keni miratuar ju, që t’i bëjmë konkurset. Përkundrazi, ligji që keni miratuar ju, është ligji që përjashton çdo konkurueshmëri dhe meritë dhe që, praktikisht, të gjithë ata që i besojnë atij procesi, në fund përfundojnë tek firma ekskluzive e ministrit.

E, për këtë arsye, në fund të mandatit tuaj, patëm shkollën jo më të politizuar, por shkollën më të militantizuar që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, qysh nga viti 1991. Shkollën ku të gjitha oborret u kthyen në sheshe për shfaqjet e kllounit tuaj, kryeministër atëherë, ku gjithë klasat u kthyen në trupa për t’u marrë zvarrë e për t’u nxjerrë në mitingjet tuaja dhe ku vendi i punës së mësuesit u shit si të ishte treg dhe askush nuk arriti dot të marrë një vend të merituar. Ndërkohë që mijëra vajza dhe djem që kanë mbaruar për mësuesi, rrinë rrugëve të papunë, duke i lënë për vite të tëra hapur rrugën lloj-lloj injorantësh dhe lloj-lloj zullumqarësh, që morën në dorë kontrollin e shkollës shqipe, me firmën e ministrave tuaj.

Nuk kemi pasur asnjë arsye tjetër ne që të ndërtojmë një procedurë që ka zgjatur qëndrimin në krye të shkollave të këtyre injorantëve dhe të këtyre zullumqarëve dhe që ka bërë të vazhdojnë të lëndojnë shkolla, vetëm për një arsye, që t’u jepet mundësia të gjithë atyre që kanë ide dhe vullnet të marrin në dorë drejtimin e institucioneve arsimore, që të konkurrojnë.

Janë me qindra e qindra ata që kanë besuar në këtë proces dhe ju siguroj se, si të fituarit, ashtu edhe ata që nuk kanë fituar, kanë parë vërtetësinë e këtij procesi.

Ky është sigurisht vetëm fillimi. Më pas, ky proces do të shtrihet, ashtu siç kemi premtuar dhe ne nuk do të marrim në shkollë drejtorë dhe mësues që nuk do të kenë miratimin e komunitetit të prindërve. Sepse është e vetmja mënyrë për ta mbrojtur shkollën nga partitë, është e vetmja mënyrë për t’i mbrojtur fëmijët nga prodhimi i fatkeqësive që sjell politizimi dhe militantizimi i shkollës, përmes injorancës dhe zullumit.

Shkollat Qendrat Komunitare do të ngrihen. Do të ngrihen kudo ku ka fëmijë dhe kudo ku ka prindër. Marrëdhënia Mësues-Prindër-Qeveri do të ngrihet dhe do të forcohet ditë për ditë, si një marrëdhënie e domosdoshme në një vend të qytetëruar, për të pasur një mjedis shkolle ku nuk flitet vetëm për mësime, por ku flitet për shoqërinë dhe ku garantohet bashkëjetesa, që i kthen njerëzit nga qenie të vetmuara, të egra, në qenie sociale dhe në qenie bashkëpunuese. Ky është projekti!

Ky projekt, përveç të tjerave, është edhe projekti fitues në betejën me kriminalitetin si kulturë, në betejën me ilegalitetin si kulturë, në betejën me shkeljen e ligjit si kulturë. Ky është projekti që do të nxjerrë matanë kurthit ata që, sot, janë minorenë dhe që, nesër, do t’u duhet të ngrenë familjet e tyre.

E së fundi, dua ta rinënvizoj; Nuk shkojmë asgjëkundi në qoftë se këtë sallë e përdorni për të bërë politikën e ulët të shpifjeve, të sharjeve dhe të asaj balte që në fund fare u mbyti ju. Por, fatkeqësisht, bashkë me ju, me qeverinë tuaj dhe me pushtetin tuaj të kalbur në çdo qelizë, mbyti edhe Shqipërinë në varfëri, në papunësi dhe në borxhe.

Ne jemi shumë të vendosur që t’i çojmë përpara idetë tona. Ne jemi shumë të vendosur që ta zbatojmë pikë për pikë programin tonë. Por, njëkohësisht, ne jemi shumë të vendosur ta mbajmë shtrirë dorën për ju, jo në shenjë dashurie, as në shenjë të ndonjë mirësie që ne e kemi dhe ju s’e keni. Nuk është kjo. Unë nuk mendoj se ndarja jonë është një ndarje mes të mirëve dhe të këqijve. Por unë mendoj se ndarja jonë është një ndarje mes vlerash dhe parimesh, që forcat tona mishërojnë dhe për të cilat, forcat tona dallohen. E pra, a e dini se përse ne jemi më të fortë se ju? Sepse vlerat dhe parimet tona janë shumë më superiore sesa vlerat dhe parimet tuaja.

Faleminderit!

/Agjensia e lajmeve Dyrrah / 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore arriti sot në një konsensus mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do të adresojnë rekomandimet e OS

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, vlerëson marrëveshjen e arritur mes palëve politike për Reformën Zgjedhore, duke theksuar se duhet imp

Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur gjithashtu arritjen e një marrëveshjeje për Reformanë Zgjedhore.

Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi reagoi pas lajmit se në Shqipëri është arritur marrëveshja për Reformën Zgjedhore.

Edhe kryeministri Edi Rama reagoi pas arritjes së marrëveshjes për Reformën Zgjedhore. Ai shkroi se e rëndësishme është që Lulzim Basha d

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim në përfundim të mbledhjes së këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, për të cilën palët vendosën të dak

Në fund të mbledhjes së Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, tha se është arritu

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes për Reformën Zgjedhore.

Këshilli Politik arriti dakordësinë për administrimin e zgjedhjeve. Palët pranojnë përfshirjen 100% të identifikimit elektronik të votues

Zëdhënësi i presidencës, Tedi Blushi, ka reaguar pas opinionit të Komisionit të Venecias për paketën anti-shpifje.