Kuvendi zhvillon sot seancë plenare. Shumica socialiste në Kuvendin e Shqipërisë pritet që t'i rrëzojë Presidentit Ilir Meta në seancën e sotme plenare tetë dekrete, shtatë që riktheu për shqyrtim dhe një për emërimin e Petraq Milos në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Por cilat janë dekretet e tjera që pritet që të rrëzohen përpos emrit të tretë të kreut të KLSH-së?

Në listë janë ligji për koncesionet, kontratat për rrugët Milot – Balldren dhe Orikum – Llogara, Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat. Dekreti për rezervat materiale të shtetit është një tjetër ligj që e pret i njëjti fat, po ashtu edhe ai për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare, për vetëqeverisjen vendore dhe planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Të gjitha ligjet e kthyera për shqyrtim u rrëzuan më parë në komisionet parlamentare, ndërsa sot vulosen në seancën plenare.

Në seancën e radhës pritet që të rrëzohen dekretet e tjera, mes të cilave është ai për Akademinë e Shkencave që u rrëzua dje në Komisionin Parlamentar të Edukimit. Ndërkohë që sot në rendin e ditës përpos dekreteve janë edhe pika të tjera të rëndësishme si miratimi i projektvendimit për zgjedhjen e Besnik Dervishit Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për emërimin e Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe të tjera.

Tetë dekretet e Presidentit që pritet që të rrëzohen sot në Kuvend:

1. Dekreti për ligjin për rezervat materiale të shtetit
2. Dekreti për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare
3. Dekreti për ligjin e për vetëqeverisjen vendore
4. Dekreti për ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit
5. Dekreti për ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat
6. Dekreti për koncesionin e rrugës Orikum – Llogara, Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat
7. Dekreti për koncesionin e rrugës Milot – Balldren
8. Dekreti për propozimin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit