Deputeti Lefter Maliqi në një intervistë për RTV Ora tha se i ka bërë thirrje Prokurorisë për drejtësi për viktimat e tërmetit të 26 nëntorit, duke e konsideruar vrasje me paramendim.

Ndërkohë e konsideroi enigmë dorëheqjen e kryebashkiakes së Durrësit, Valbona Sako duke vënë në pikëpyetje arsyen e saj se mori këtë vendim për shkak të deklaratës ku tha se ishte e kënaqur me rezultatin me 51 viktima.

Maliqi shtoi se posti ju la nënkryetarit të bashkisë, i cili mbajti detyrën prej 11 vitesh, ndërkohë që bashkia është e para e akuzuar për dhënien e lejeve të ndërtimit.

“I bëra thirrje strukturës së re që do të krijohet, SPAK-ut, që të mbledhë veprimet hetimore të Prokurorisë së Durrësit, të Lezhës dhe Tiranës dhe të hetohet sepse kemi të bëjmë drejtpërdrejt me një vrasje me paramendim. Diheshin që ato pallate në Thumanë ishin të pabanueshme dhe nuk dihet kush e dha urdhrin  me shkrim apo me gojë për tu futur përsëri në ato banesa.

Ndërkohë kemi vrasje me paramendim për shkak të lejeve të ndërtimit të firmave, të procedurave në qytetin e Durrësit në Tiranë apo në Thumanë, Krujë e me radhë.

Përgjegjësia është zinxhir dhe unë i bëra thirrje policisë së shtetit dhe prokurorisë sepse një këqyrje e vendit të ngjarjes zgjat të paktën 5-6 orë kurse aktualisht ka të dhëna se janë prishur pallate pa u bërë siç duhur këqyrja e vendngjarjes. Do mbajnë përgjegjësi nesër, herët apo vonë ata oficerë policie, ata grup ekspertësh që s’kanë bërë detyrën siç duhet.

Dha dorëheqjen kryebashkiakja e Durrësit. Është enigmë dorëheqja e saj pavarësisht fjalës, mund të kërkonte edhe ndjesë sepse çfarë nuk kanë bërë këto të tjerët dhe nuk kanë dhënë dorëheqje. Kjo tregon se nënkryetari i bashkisë prej 13 vitesh vazhdon të drejtojë bashkinë, ndërkohë që aty bashkia është e para në akuzë bashkë me firmat e ndërtimit.

Jo vetëm natyra, tërmeti por kjo është e lidhur drejtpërdrejt me firmat e ndërtimit se në Shqipëri duhet të jemi tepër të bindur se janë bërë sponsorizues, apo firma ndërtimi të cilët nuk kanë përvojën e duhur në fushën e ndërtimit dhe manipulojnë supervizorët , kryebashkiakët apo urbanistikët në pushtetin lokal dhe ndodhin këto. E dimë shumë mirë se gjithë pastrimi i parasë bëhet nga firmat e ndërtimit. Janë njerëz që para se të ndërtojnë nuk deklarojnë të ardhurat.” – tha deputeti i opozitës së re, Lefter Maliqi.