Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji është kërcënuar me jetë se do të vritet me snajpër nga një ish-efektiv i Policisë së Shtetit.

Salianji ka marrë nga burgu i Fushë-Krujës një letër ku e paralajmërojnë se një person i quajtur Dorian Duli, 38-vjeç, me origjinë nga Parruca e Shkodrës, i cili ka qenë i dënuar, por është liruar nga qelia në 2 janar të vitit 2016, do e vrasë deputetin.

Zarfi me letrën ku jepen detaje nga atentati i supozuar, ku përmendet edhe emri i kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, ka mbërritur në adresën e deputetit demokrat në datën 31 tetor 2018, në selinë e PD.

“Zoti Ervin juve do qëlloheni me snajper nga 38-vjeçari Dorian Duli ish punonjës policie me origjinë nga Parruca Shkodër i liruar nga burgu më 21/01/2016 ky person në bashkëpunim edhe me anëtarë të bandës së Lulzim Berisha…me porosi edhe të Vangjush Dako…”, shkruhet mes të tjerash në letër.

Salianji ka bërë denoncim në Prokurorinë e Përgjithshme dhe për dijeni dhe Shërbimit Informativ Shtetëror. Prokuroria e Përgjithshme e ka kaluar çështjen tek Krimet e Rënda dhe po bëhen verifikimet për rastin.