Konfindustria shpreh shqetësimin për shtyrjen e radhës të afatit kohor të miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë të ligjit, që ndalon lidhjen e projekteve të Partneritetit Publik Privat dhe kontratat koncesionare “të pakërkuara” të parashikuar brenda muajit qershor 2019.

Sipas Konfindustrias, kjo është shkelja e dytë kohore radhazi e zotimit qeveritar para FMN/Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe institucioneve të tjera financiare të huaja për ndërprerjen e kontratave koncesionare të tipit të “pakërkuar” në sektorët e infrastrukturës rrugore.

Afati i parë ishte muaji shtator 2018. Konfindustria bën të ditur se ka kërkuar zyrtarisht pranë ekzekutivit dhe Kuvendit të Shqipërisë, se në projekt ligjin përkatës të ndalimit të lidhjes së kontratave “ të pakërkuara” duhet të përfshihen pa përjashtim të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë dhe jo vetëm në infrastrukturën rrugore.

Konfindustria vlerëson se Shqipëria është e papërgatitur institucionalisht për mbrojtjen e interesit publik më afatgjatë në përdorimin e PPP dhe kontratat koncesionare në përgjithësi dhe të tipit “pakërkuar” në veçanti.