Brenda pak ditëve paralelisht me rezistencën e palëkundur të studentëve, Edi Rama, po lëshon me shpejtësi çdo gjë të mundshme që do t'i kthente protestuesit në shtëpi dhe shkolla. Që ditën e parë të protestës Ministria e Arsimit, Lindita e Nikolla, u vetë-ofrua për të dhënë dorëheqjen por Rama duke shpresuar se do ta zgjidhte situatën shumë shpejt, refuzoi ta bënte “kurban”.

Por rezistenca e palëkundur e studentëve pasi provoi më kot përçarje, shantazh e blerje, duket se e ka detyruar që të lëshojë edhe Nikollën me shpresën se kjo do të mjaftojë.

Burime të sigurta të Syri.net pranë kryeministrit konfirmojnë, se sot në orën 18.00 Nikolla do të thërrasë një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, ku do të komunikojë dorëheqjen e parevokueshme.

Mësohet gjithashtu se ajo do të lexojë tekstin që i ka dhënë Rama nëpërmjet të cilit do të marrë përsipër gjithë dështimin e reformës në Arsim, si dhe degradimin në universitete dhe konviktet e studentëve.

Çështja është se studentët protestues me zgjuarsi, nuk e kanë kërkuar në asnjë moment dorëheqjen e ministres Nikolla, pavarësisht se akuzojnë si një nga përgjegjëset kryesore të qeverisë Rama, për situatën ku është katandisur arsimi i lartë shqiptar dhe jo vetëm.