Në një dalje për mediat pasi PS deklaroi gatishmërinë për hapjen e listave, kryedemokrati Lulzim Basha e konsideroi të prishur marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore mes PS-PD-LSI.

Sipas Bashës, kryeministri Rama i frikësohet humbjes nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

“Falenderoj përfaqësuesit e medias që sot para syve tuaj keni pasur njeriun më të tmerruar nga zgjedhjet e ardhshme që Shqipëria ka njohur në 30 vite. Tmerri dhe ankthi i Ramës për humbjen e zgjedhjeve sot ka arritur një majë papërgjegjshëmërie që se ka pasur as Ramiz Alia në ditët e tij të fundit. Një nga rekordet që do të thyejë është ajo e një kryeministri në ikje më të tmerruar se kushdo. Në esencë sot ai ka prishur marrëveshjen e 5 qershorit për të cilën u investuan forcat politike me ndërmjetësimin e BE, SHBA dhe Britanisë së Madhe në këtë marrëveshje ishte qendrore arritja e dakordësisë për reformën zgjedhore, kusht për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE”, –tha Basha.

Kreu i opozitës tha se Rama donte nxjerrjen e komisionerëve të opozitës dhe t’i zëvendësonte ata me njerëz të kontrolluar nga ai vetë.

“Depolitizim i komisioneve me kusht që të përbëheshin nga administrata publike. Ishte e qartë që kishim të bënim me një njeri në panik, ankthi i të cilëve diktonin sjelljen e negociatorëve në tavolinë. Kjo është një nga gënjeshtrat fanar. Edi Rama nuk donte depolitizim, donte të nxirrte komisionerët e opozitës jashtë dhe t’i zëvendësonte me bedelët apo njerëzit e kontrolluar dhe shantazhuar prej tyre.”, tha Basha ndërsa theksoi se problemi kryesor janë ndryshimet e propozuara për koalicionet zgjedhore.

“Diskutimi është për koalicionet zgjedhore. Është realitet i pluralizmit politik. Ky është halli i vërtetë i Edi Ramës. Sot ranë edhe dorezat edhe maskat. Shqiptarët e kanë të qartë që Rama ka frikë koalicionin opozitar dhe zgjedhjet me koalicionin opozitar përballë”.