Në muajin prill, në qarkun e Durrësit do të zhvillohen zgjedhjet për strukturat drejtuese të LSI, LGI dhe LRI. Në takimin e sotëm që zhvilloi me anëtarësinë në sallën e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi nënvizoi se “jo vetëm duam ta rikthejmë Durrësin në atë strukturë partie energjike dhe me vlera, por të jetë lider i të gjitha strukturave të partisë në të gjithë Shqipërinë. Sepse Durrësi i ka mundësitë dhe kapacitetet njerëzore dhe shpirtërore, që vështirë se mund t’i gjesh në vende të tjera”.    

Ndërsa kryetari i komanduar i degës së Durrësit, Nasip Naço, deklaroi gjatë fjalës së tij se do të jetë anëtarësia që do të zgjedhë drejtuesit e ata nuk do të jenë të komanduar, pasi kjo gjë e kthen në apatike partinë.

“Ne kërkojmë që nga ju të dalin kandidatët për kryetar partie, të LGI-së, LRI-së.  nuk duhet të jenë të imponuar, të komanduar. Unë jua premtoj publikisht këtë dhe ne jemi forca politike që i mban premtimet”,– tha gjatë fjalës së tij, Nasip Naço.

Duket se kryetari i komanduar Nasip Naço, që e mban këtë post që nga përjashtimi i ish-kryetarit Lefter Koka, i cili nuk iu bind vendimit të partisë për të dorëzuar mandatin e deputetit, gëzon mbështetjen e kryetares Monika Kryemadhi.

“Unë do të jem në krah të Nasipit, jo vetëm si Monika Kryemadhi, por bashkë me të gjithë grupin drejtues të LSI”, – tha gjatë fjalës së saj Kryemadhi.

Që nga momenti i krijimit të degës në qytetin e Durrësit, LSI është drejtuar për shumë vite nga ish-kryetari dhe deputeti Lefter Koka, i cili ka fituar tre mandate përfaqësimi rresht në Kuvendin e Shqipërisë. Pas përjashtimit të Kokës, dega e qytetit bregdetar iu besua Nasip Naços, vëllai i të cilit, Dauti, ka mbajtur poste drejtuese në drejtoritë vendore në Durrës në kohën kur LSI ishte në qeveri.

Për shumë vite me rradhë, LSI, LGI dhe LRI në Durrës janë identifikuar me Lefter Kokën dhe njerëzit e tij. Shfaqja e vëllait të Kokës, Leonardit mbrëmjen e sotme përkrah Kryemadhit është dëshmi se jo të gjitha lidhjet janë ndërprerë. Madje Leonard Koka do të shfaqej në muajin korrik 2019, në një foto në det me presidentin Ilir Meta, ish-drejtuesin historik të LSI, tashmë president i vendit.

Mbetet të shihet në javët në vijim nëse dega e LSI-së së Durrësit do të ketë për drejtues një figurë nga qyteti bregdetar apo do t’i mbetet kryetarit të komanduar Nasip Naço, që gëzon mbështetjen dhe besimin e Kryemadhit.