Ende pa nisur normalisht seanca e Kuvendit, e cila është e fundit për këtë sesion, LSI ka kërkuar ndërprerjen e saj.

Mësohet se LSI ka kërkuar ndërprerjen e seancës me 10 minuta për të mbledhur grupin parlamentar te saj në sallë. Ndërkohë në sallën e Kuvendit janë të pranishëm për momentin vetëm deputetët e mazhorancës dhe disa të LSI, ndërsa deputetët e PD nuk kanë mbërritur ende.

Në rendin e ditës së sotme është parashikuar votimi i projektligjit për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve i njohur ndryshe si ligji i magjistratëve për të cilin mazhoranca kërkon konsensusin e ish aleates së saj LSI, pasi nevojiten 84 vota.

Burimet thanë për “BalkanWeb” se deputetët e PD do marrin pjesë në Kuvend, por nuk do votojnë pr.ligjet e parashikuara në rendin e ditës, duke përfshirë edhe pr.ligjin e magjistratëve.