Protestat kundër qeverisë socialiste, korrupsionin, trafikun e drogës dhe zhvillimet jodemokratike në vend kanë detyruar opozitën dje që të heqë dorë zyrtarisht nga mandatet e saj në Kuvend, duke krijuar një situatë të panjohur edhe për vetë klasën politike.

Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi pasditen e sotme Këshillin Drejtues Kombëtar. Gjatë fjalës së saj, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi u shpreh se protestat e javës së fundit të opozitës ishin dëshmi e qartë se shumica e shqiptarëve nuk duan që të qeverisen më nga kjo qeveri.

Kryemadhi tha se me dorëzimin e mandateve deputetët e LSI-së treguan se mandatet e tyre ishin mandate gjaku, ndërsa kryeministrit Edi Rama llumi do t’i kthehet mbrapsh.

“Në fakt, ne si struktura partie kemi ezauruar komunikimin institiucional me mazhorancën dhe çdo institucion tjetër që ka të bëjë me funksionimin e shtetit.

Skepticizmi që kishin qytetarët te loja politike, se thonin se politikanët mendojnë gjithmonë te karriket e tyre se kanë hallin e rrogave etj. Tashmë që LSI deputet e saj të cilët dogjën mandatin me vullnet të plotë tregojnë integritetin besueshmërinë, tregojnë që mandatet janë mandate gjaku.

Përveçse janë mandate gjaku janë mandate të atyre qytetarëve që besojnë në demokraci, në institucione. Mandatet e LSI-së nuk mund të bëheshin kurrë mandate të atyre që kanë marrë mandatet e tyre me kërcënime. Tashmë llumi që përdori Rama për të blerë mandate do t’i kthehet mbrapsh, do të mbajë përgjegjësi për atë që i ka premtuar bandave.

Sot jemi të gjithë të barabartë nuk është imuniteti ai që i jep forcë deputetëve, por morali. Morali i njerëzve të qëndrueshëm, besnikë dhe njerëzve që i mbajnë njerëzit e tyre. Dorëzimi i mandatit tregon se për ne ka më shumë rëndësi besimi i qytetarëve”, tha Kryemadhi.