Votën e qytetarëve durrsakë në 30 qershor, kreu i PS-së së Durrësit, Luan Zaza e sheh si mbështetje popullore për vizionin dhe strategjinë për qeverisjen e qytetit në 4 vitet e ardhshme. Zaza thekson se në 30 qershor, PS mori 6399 vota më shumë se 4 vite më parë, tregues ky sipas tij se mazhoranca gëzon besimin e votuesve të qytetit bregdetar.

Diferencën e thellë në vota mes Vangjush Dakos në vitin 2015 dhe Valbona Sakos në vitin 2019, kreu i PS-së e shpjegon me faktin se kryebashkiaku i Durrësit kandidonte 4 vite më parë për një mandat të tretë, pas dy mandateve të suksesshme në krye të qytetit bregdetar. Rreth 22 mijë vota më pak për kandidaten Sako është një rezultat që gjithsesi do t’i nënshtrohet analizës së thelluar që do të kryejnë strukturat e PS-së në ditët në vijim.

Tashmë kur PS ka fituar mandatin e 6-të rradhazi në Durrës dhe ka shumicën dërrmuese në Këshillin Bashkiak, plot 48 mandate nga 51 në total, ekziston rreziku se administrata e bashkisë mund të kalojë çfarëdo lloj projekti, vendime për rritje taksash e tarifash vendore etj dhe nuk do të ketë kush ta kundërshtojë. Por kreu i PS-së lokale nënvizon se në 4 vitet e ardhshme bashkia e Durrësit do ta ketë opozitën e saj dhe kjo opozitë do të jenë qytetarët me të cilët do të zhvillojnë debatet dhe diskutimet publike për përcaktimin e prioriteteve dhe investimeve që do të realizohen.

Në intervistën për DurrësLajm, kreu i PS-së Luan Zaza shpjegon edhe faktin se pse në disa poste kyçe në qytetin bregdetar janë emëruar apo komanduar drejtorë nga Tirana. Në të njëjtën kohë, nr.1 i PS-së në Durrës flet edhe për impaktin që përgjimet e dosjes 339, të publikuara në të përditshmen gjermane Bild, kanë shkaktuar në rradhët e socialistëve të thjeshtë durrsakë.

Tashmë kur zgjedhjet e 30 qershorit kanë përfunduar dhe kanë dalë edhe rezultatet zyrtare, si e shihni ju rezultatin e Durrësit? Në krahasim me zgjedhjet e 2015-ës, PS ka rritje si parti, por ka marrë shumë më pak vota kandidatja. (2015/ Dako – 56.004 vota, PS – rreth 27 mijë; 2019/ Sako – 34.150 vota, PS – 33399 vota)

Me publikimin e rezultateve zyrtare të zgjedhjeve vendore 2019, konstatoj me kënaqësi se PS në Durrës, duke marrë në konsideratë specifikat e këtyre zgjedhjeve, ka shënuar rritje pozitive me 6.399 vota më shumë se në zgjedhjet vendore 2015. Votat më pak për kandidaten janë mëse të justifikueshme, kur i krahasojmë me votat e kandidatit në zgjedhjet e vitit 2015. Z.Dako kandidonte për mandatin e tretë dhe vinte pas dy mandateve të suksesshme të drejtimit të bashkisë Durrës.

A do të bëjë PS-ja e Durrësit një analizë të rezultatit dhe sipas jush pse një diferencë kaq e madhe në votat për kryebashkiaken? Çfarë ka çaluar në këtë rast?

Patjetër që PS-ja e Durrësit do të bëjë një analizë te thelluar. E kemi bërë në çdo rast e do të vazhdojmë ta bëjmë. Analiza kërkon kohën e saj, konkluzionet dhe rekomandimet e analizës drejtojnë aktivitetin politik të PS-së për zgjedhjet e ardhshme.

Jemi në një situatë të paprecedentë sepse veç kryebashkiakes, PS kontrollon komplet Këshillin Bashkiak. Kush do ta kontrollojë tashmë vendimmarrjen e bashkisë dhe Këshillit, sepse nuk ka kush të bëjë opozitë?

Bashkia Durrës dhe Këshilli Bashkiak kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë në shërbim të qytetarëve durrsakë edhe në mandatin e ri. Debatet dhe diskutimet me ta, pjesë e modelit të bashkëqeverisjes me qytetarët, janë opozita e vërtetë. Përmes diskutimeve publike do të vendosen prioritetet, se ku do të investohet e shërbehet. Përpos kësaj, një tjetër filtër kontrolli është dhe institucioni i Prefektit. Vendimmarrjet e Këshillit Bashkiak i kalojnë në çdo rast institucionit të Prefektit për kontrollin e bazueshmërisë e përputhshmërisë ligjore.

Këtë herë ju në fushatë nuk keni pasur rivalët tuaj të përhershëm, PD dhe LSI. Në gjykimin tuaj si e konsideroni fushatën elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit?

Partia Socialiste zhvilloi fushatën e saj elektorale pa u ndikuar aspak nga mospërfshirja në të e dy partive opozitare, PD dhe LSI. Këto ishin zgjedhje lokale dhe objektivi i fushatës ishte shpalosja e vizionit dhe strategjisë sonë për qeverisjen e qytetit në 4 vitet e ardhshme. Qytetarët me votën e tyre na rikonfirmuan mbështetjen dhe gjithashtu na dhanë edhe mesazhin se ku pozicionohemi në raport me kundërshtarët tanë.

A e dëmtuan përgjimet e dala në media të dosjes 339 besimin e elektoratit të majtë tek PS? Cili ka qenë reagimi i socialistëve të thjeshtë në Durrës pas daljes së tyre?

Rezultatet e votimit, si shprehje e vullnetit të popullit të Durrësit, treguan impaktin zero të përgjimeve.

Në disa prej drejtorive më të rëndësishme në Durrës janë emëruar drejtorë nga Tirana. Shumë prej anëtarëve të PS-së kanë qenë kundër këtyre drejtorëve që katapultohen në qytetin tonë. Nuk ka PS-ja e Durrësit burime njerëzore për këto drejtori të rëndësishme si porti, Kadastra, AKU etj?

Tirana dhe Durrësi tashmë janë dy qytete të lidhura shumë ngushtë me njeri-tjetrin. Në disa pozicione drejtuese në Durrës vendosen kapacitete nga Tirana, por ka shumë e më shumë pozicione drejtuese në Tiranë, në të cilat janë emëruar burime njerëzore nga Durrësi. Këto janë zhvillime normale dhe të shëndetshme.

M.B.