Në Ditën Ndërkombëtare të Luftës kundër dhunës në vendin tonë, ish-deputetja e LSI-së Nora Malaj, pohoi se ky fenomen vijon të jetë një plagë e rëndë për shoqërinë shqiptare.

Në një deklaratë nga selia e LSI-së, Malaj iu rikthye rasteve të dhunës të transmetuara nga mediat, ku denoncoheshin rastet e rënda të abuzimeve seksuale ndaj të miturve, por edhe të vajzave të reja, të cilat shfrytëzohen për prostitucion. 

DEKLARATA E PLOTË

Në ditën Ndërkombëtare të Luftës kundër dhunës Shqipëria po përballet me rastet më flagrante të dhunës.Dje, emisionet investigative treguan qartë abuzimin seksual me të miturit dhe shfrytëzimin e vajzave për prostitucion. Ndonëse kanë kaluar shumë orë nga lajmi i djeshëm, asnjë instancë shtetërore ende nuk është shprehur për rastet flagrante që emisionet investigative “ Fiks Fare” dhe “ Stop” treguan në emisionet e tyre.

Në ditën e sotme Shqipëria përballet me shifrat më të frikshme të dhunës dhe abuzimit:

1 në 5 nxënës në Shqipëri bien viktima të bullizimit në vend

Në 4 ditë kemi pasur 57 raste të dhunës dhe kjo shifër është e frikshme për vendin tonë.

Tirana zë vendin e parë për dhunën në familje me 35,2%

Durrësi me 15,5 %

Korça me 7,9 %

Fieri 7,2%

Berati 6,5%

Lezha 5,6 %

Dhuna seksuale, verbale, psikologjike dhe emocionale është bërë kryefjalë e lajmeve të kobshme duke shkaktuar tërmetin më të madh në shoqërinë shqiptare dhe duke e kthyer gjendjen në alarm për të gjithë.

Familja shqiptare është në rrezik. Fëmijët e të gjithë grupmoshave gjenden të ekspozuar dhe të pambrojtur përpara situatave tragjike të dhunës.

Të gjithë duhet të pyesin veten pse kjo shthurje e pazakonshme masive në të gjithë sferat e jetës? Droga dhe shpërndarja e saj, prostitucioni, abuzimi seksual, korrupsioni, presioni me vendin e punës dhe shumë dukuri të tjera, kanë bërë që jeta në Shqipëri të jetë e pasigurt dhe kryefjala e të rinjve në Shqipëri  është “ikja” nga vendi. Këtë e tregon dukshëm dhe shifra e frikshme që përballemi sot me 285 mijë të rinj të gatshëm të ikin nga vendi.

Mos ndoshta secili nga ne me dashje apo padashje po bëhemi vet karburant për këtë të keqe të madhe që i është kanosur vendit? Në ditën e sotme i bëj apel të gjithë prindërve, qytetarëve, shoqërise civile, organizmave ndërkombëtarë, organizatave joqeveritare, parlamentit dhe qeverisë nga foltorja e LSI-së, të bëhemi bashkë për të luftuar këtë të keqe të madhe dhe këte dramë që po kalon familja shqiptare dhe shoqëria jonë.

1- Parlamenti aktual urgjentisht të krijojë një komision hetimor të menjëhershëm për të hetuar të gjitha rastet e dhunës seksuale në rezidencat publike dhe jo publike. Ky komision hetimor të hetojë të gjitha rastet e abuzimit historik seksual për të ndërtuar institucionet e dedikuara në ndihmë të këtyre rasteve të dhunuara.

2- Qeveria të marri masa urgjente për krijimin e Ministrisë së Familjes dhe Rinisë, pasi sot drama më e madhe që po luhet në kurriz të fëmijëve shqiptarë është ajo familjes dhe e ikjes masive të të rinjve, dhe krijimi i kësaj ministria është kthyer në emergjencë, për të adresuar dhe realizuar politika të dedikuara për ruajtjen, mbrojtjen dhe zhvillimin e familjes dhe për t’i kthyer fëmijëve vatrën e sigurt familjare. Pa dhunë dhe abuzim.

3- Mbylljen e të gjithë institucioneve rezidenciale publike, të cilat janë kthyer në qendrat më të pasigurta të dramës me të madhe që po përjetojnë fëmijët e braktisur apo me statusin “ jetim”, të cilët po kthehen në kavje të të gjitha formave të dhunës.

4- Fuqizimin e menjëhershëm dhe krijimin e kujdesit të sistemit alternativ për kategorinë  këtyre fëmijëve.

5- Dëmshpërblim për çdo fëmijë, adoleshent dhe cilindo individ që është bërë pre e dhunës seksuale në institucionet rezidenciale.

6- Të gjithë fëmijët të marrin shërbime të dedikuara në mbrojtje të jetës së tyre dhe familjet në nevojë të ndihmohen nga implementimi i politikave specifike për ta.

7- Institucionet e prokurorisë dhe të drejtësisë të trajtojne të gjitha rastet e shfaqura me përparësi dhe të vihen përpara drejtësisë kushdo që abuzon me fëmijët.

Sot kur krimi, prostitucioni, abuzimi dhe dhuna janë lidhur si zinxhirë dhe po gjenerojnë frikë, pasiguri dhe mbrotje nga administrata, duke e kthyer vendin në frikë e pasiguri për jetën. Ndaj të bëhemi bashkë të gjithë, që Shqipërinë mos ta lëmë në dorën e horrave dhe abuzuesve, po ta kthejmë në vendin, ku ligji, drejtësia dhe mbrojta e jetës së qytetarëve të jetë kryefjala e çdo debati dhe invetimi, pasi Shqipëria është vend i shqiptarëve, të cilët duhet të jetojnë me dinjitet dhe mos t’ju preken të drejtat dhe liritë e tyre dhe ku familja dhe integriteti i tyre të jetë i shenjtë.