“Le t’i lutemi sot kishës, kryqit, t’i japë më shumë shpresë dhe besim mbarë popullit shqiptar dhe kombit tonë për ta kaluar këtë situatë të vështirë, për ta ndihmuar dhe kujdesur për njëri-tjetrin, për të qenë të bashkuar dhe për të triumfuar ndaj çdo sfide dhe vështirësie”.

Kjo ishte lutja e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, gjatë vizitës së tij në Kishën e Prullit në Lezhë, teksa shtoi se pandemia ka shtuar dramat njerëzore, familjare dhe shoqërore.

“Është një sfidë që po vazhdon.Nuk flasim në kishë për çështje të tjera. Zoti të na ndihmojë të gjithë shqiptarëve dhe lutemi për të gjithë ata që po vuajnë gjithë ata që kanë mundësi të bëjnë gjithçka për vëllezërit dhe motrat tona, luemi për mjekët dhe infermirët që kanë muaj që sakrifikojnë në kushte të vështira, por të lutemi dhe për ata që kanë humbur vendet e punës në këtë situatë, të mos humbasin shpresën dhe të mos largohen nga vendi”, tha Meta.

Vizita e Metës në kishën e rikonstruktuar erdhi edhe në kuadër të 30-vjetorit të rikthimit të besimit në  Zot dhe lirisë së fesë, e privuar për 45 vjet nga regjimi komunist.

“Kjo kishë është dëshmitare e periudhave më të vështira të sundimit të barbarëve të huaj apo edhe atyre vendas për fat të keq, të diktaturave, që u pëpoqën të thyenin besimin në Zot, të nënshtronin dhe shtypnin popullin tonë. Por fakti që kjo kishë është rindërtuar tregon se fuqia e saj vjen nga themelet që janë të shenjat dhe kanë brenda tyre Zotin që i ka dhënë forcë këtij populli, këtij komuniteti dhe shqiptarëve që të mos dorëzohen kurrë dhe të mos humbasin besimin, çdo sfidë t’i bëjë më të fortë”, u shpreh ai.