Deputeti Lefter Maliqi ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me gjendjen e sigurisë në vend, pas atentatit në qendër të Tiranës që iu bë një shtetasi, makina e të cilit shpërtheu në lëvizje.

Maliqi shkruan se ndërsa Ramziu udhëton me jahte e chartera, Lleshaj në bishën BMV, krimi i zë vendin qeverisë në zemër të kryeqytetit.

Sipas Maliqit, Kryeministri i marrë fund ka shkuar në Greqi të falë detin, ndërsa Shqipërinë po e merr lumi.

“Vendi u trondit sot nga 3 vrasje e atentate brenda 12 orëve. Dita nisi me ekzekutimin mafioz në Rrogozhinë, pasdreke goditi krimi makabër në Bathore, pak km nga Tirana dhe pasditja u mbyll me atentat me tritol në zemër të kryeqytetit.

Gjatë shperthimit, u plagos edhe një kalimtar i rastit, shtetas italian, dhe i vjen inat Ramziut kur të huajt kanë frike të vijnë në Shqipëri.

Pamjet nga shpërthimi i makinës në ecje te ‘Vasil Shanto’, i ngjanin Kabulit, ndërsa zhurma e shpërthimit zgjoi te madh e të vogel nga shtëpitë aty pranë.

Këtu nuk ka me rend e siguri, vendi është kthyer në Siri. Atentati në mes të Tiranes, seria e radhës e serialit të ekzekutimeve mes bandave që i kane rrënjet deri në vetë strukturat e Policise së Shtetit, dhe kjo e fundit thjesht bën statistikat dhe nuk ka këllqe të sillet siç ia imponon uniforma.

Çfare po ndodh në këtë vend?! Ministri i Brendshem e ka mendjen dhe sa muaj do jete në qeveri, apo ku ta bëjë xhiron e radhës me ‘bishen’ 150 mijë euroshe.

Duke e ditur humbjen e madhe që i pret, kjo qeveri e marrë fund e ka lëshuar vendin në dorë të krimit e korrupsionit.

Nuk ka kohë për të përtypur arrogancën e Ramës e Gjiknurit në Këshillin Politik, shqiptarët duhet ti vënë shkelmin njëherë e mirë këtij sundimi që i ka vjedhur edhe sigurinë e jetës në shtëpinë e vet”, shkruan Maliqi.