Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ishte këtë mëngjes në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, në News24, ku foli për procesin e vaksinimit dhe fushatën elektorale.

Manastirliu tha se këtë fundjavë do të nisë vaksinimi i punonjësve në sektorin e turizmit, ndërsa u shpreh se kjo do të sjellë një sezon turistik më të lehtësuar nga pandemia.

“Ne do të vijojmë programin e vaksinimit masiv të popullatës. Ashtu siç e kemi thënë ne duam që sezoni turistik të jetë i lehtësuar nga masat. Por para se të shkojmë tek sezoni turistik ne do të krijojmë bazat për të vaksinuar punonjësit në sistemin e hoteleri turizmit. Ka një plan konkret dhe ne duam ta fillojmë këtë fundjave vaksinimin e atyre që shërbejnë në rrjetin hotelier dhe për të krijuar lehtësim për turizmin në këtë sezon.”.

Sipas Manastirliut, vaksinimi nuk po përdoret për fushatë elektorale. Programi i vaksinimit tha Manastirliu po menaxhohet nga mjeku i familjes, ndërsa i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen sipas kategorive, ku prioritet janë ata me sëmundje kronike.

“Absolutisht jo. Shëndeti i njerëzve është në majën e piramidave për ne, jeta dhe kujdesi për shëndetin është i pari. Ne do vazhdojmë të mbrojmë sa më shumë jetë njerëzish. Ne do të vijojmë me vaksinimin e +60 dhe me vaksinimin e grupmoshave të rriskuara. Këto ditë përmbyllim vaksinimin e policëve. Gjithashtu mësuesit, që tashmë po finalizohen. Kemi përfunduar mjekët, infermierët e punonjësit e sistemit shëndetësor. Do të vijojmë vaksinimin e gazetarëve dhe operatorëve. Do të vijojmë, ndërkohë, brenda fundjavës, edhe me vaksinimin e të gjithë atyre që shërbejnë në hoteleri, pra operatorët turistikë.”