Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj sot në Kuvend ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme pritet që në vendin tonë të mbërrijnë edhe 11700 doza të vaksinës Pfizer.

“Sot presim sërish 11700 doza të Pfizer dhe me këtë sasi, së bashku me një sasi të mbërritur sot nga Greqia arrijmë në 967 mijë vaksina të mbërritura në vendin tonë. Ndërsa presim që shumë shpejt të  kemi dhe lëvrimin e dozave të vaksinës coronavac.

Marrëveshja që sjellim për miratim garanton edhe 500 mijë doza të tjera të Sinovac. Një vaksinë që është e miratuar për përdorim emergjent. Kjo sasi vaksinash ka filluar lëvrimin e saj, dhe do të shërbeje jo vetëm për dozat e dyta, por edhe për zgjerimin e fashës së vaksinimeve”, u shpreh ministrja.

Teksa bëri një bilanc të procesit te vaksinimeve, Manastirliu tha se “janë kryer më shumë se 836 mijë vaksinime dhe mbi 360 mijë qytetarë i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës”.