Ka përfunduar takimi i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha me kandidatët për deputetë të kësaj force politike në zgjedhjet e 25 prillit. Në takim ishin edhe kandidatët fitues edhe ata që nuk mundën të sigurojnë një mandat.

Burime nga takimi bëjnë deputeti i zgjedhur në Lezhë, Mark Marku ka kërkuar në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura që të nisin protestat popullore. Kjo është mbështetur edhe nga kolegu i tij Agron Gjekmarkaj.

“Protestat mbeten alternative. Do të luftojmë kudo, në rrugë, në Parlament. Ata që kërkojnë dorëheqjen e Bashës janë shërbyes të Edi Ramës. Nuk do t’i njohim zgjedhjet, por do të jemi në Parlament”, – është shprehur Marku.

Basha nuk është distancuar nga ky skenar, por nuk ka dhënë një vendim përfundimtar se çdo të ndodhë. Kryedemokrati ka deklaruar se fillimisht duhet të përfundojnë procesin e mbledhjes së provave për të faktuar sipas tij masakrën zgjedhore dhe më pas do të flasin me forumet për hapat e ardhshëm, duke nënkuptuar hyrjen në parlament apo edhe çështjen e kryetarit.

“Ne duhet të përfundojmë gjithë procesin e mbledhjeve te fakteve për masakrën elektorale në lidhje me zgjedhjet dhe pastaj do të flasim me forumet përkatëse për hapat e ardhshëm,” – ka thënë Basha.

Mbledhja në selinë blu ka zgjatur më shumë se një orë. Ky takim ishte orientues, ku Basha i ka udhëzuar demokratët se si duhet të vijojnë betejën politike. Basha mësohet se u është drejtuar kandidatëve me fjalët se lufta do të vazhdojë deri në fitoren përfundimtare.