Kryeprokurorja Arta Marku ishte sot epranishme në analizën e Prokurorisë së Tiranës dhe asaj të Apelit, ku nuk i kurseu kritikat ndërsa theksin e ndali tek hetimet e shpejta dhe të pa ndikuara që duhet të bëjnë prokurorët.

Marku kërkoi veçanërisht hetimin e shpejtë të çështjeve të cilat kanë dhe interes të lartë publik.

"Në prokurorinë e Tiranës ngarkesa ka qenë më e madhe dhe si duket kjo ka ulur cilësinë dhe efektivitetin në punë. Nuk jeni përqendruar në çështje sa duhet. Çështje mjaft të rëndësishme janë zvarritur pa justifikim, rrinë në sirtare prej vitesh me një mungesë të theksuar përgjegjësie. Vërehen hetime të pakta dhe jo të suksesshme, kjo është përgjegjësi e secilit prej jush, përgjegjësi individuale. Kërkoj veçanërisht që të hetoni shpejt ato çështje ku ka vëmendje të shtuar nga opinioni publik. Ushtroni detyrën tuaj larg çdo ndikimi politik".