Anëtari i kryesisë së PD-së, Oerd Bylykbashi, tregoi detaje nga marrëveshja e firmosur sot me LSI-në. I ftuar në rubrikën “Opinion” në ‘News24’ Bylykbashi tha se kampi opozitar i ka bërë llogaritë se si do të jetë situata në qarqe në 25 prill, ndërsa u shpreh optimist për fitore përballë kryeministrit Edi Rama.

Demokrati tha se Rama e mbyll në 25 prill historinë me shqiptarët. Mes të tjerash Bylykbashi sqaroi se koalicioni opozitar del me dy lista (LSI listë me vete) për arsyen e vetme të maksimizimit të votave. Sipas Bylykbashit, pas 25 prillit, Basha do të jetë kryeministri i ri.

“Në prill të 2019-ës është një marrëveshje për opozitën e bashkuar. PD përballë kësaj aleance, ku ishte dhe LSI dhe parti të tjera, u bashkuan në atë që ishte fronti për të përmbysur Edi Ramën.

Më pas ju e dini se Edi Rama duke e kuptuar që ishte vetëm, maksimumi ka partinë e Tom Doshit, ai e kuptoi që do e kishte të pamundur që të bënte lëvizjen e njëanshme të kushtetutës. Të gjithë këtë ai e bëri në idenë e tij të pamundur marrëveshjen. Kjo është përgjigje e teknikaliteteve dhe taktika të opozitës se si do të dalë në zgjedhje, pasi me dy lista maksimalizohen votat.

Koalicioni që ishte më parë të njëjtën gjë bënte. Ne i kemi bërë llogaritë se si është situata në qarqe dhe kjo na jep ne një fitore të qartë mbi Edi Ramën. Edi Rama e mbyll në 25 prill historinë me shqiptarët. Janë dy palë lista që do të mbledhin votat, dhe një pjesë e tyre do të jenë preferenciale. Ne këtë betejë shqiptarët do e kenë të thjesht se kë duhet të votojnë. PS përpiqet që mos të jenë emrat në fletën e votimit. Do që t’i fsheh pas numrave, por zgjedhësit votojnë për emra”, tha Bylykbashi.

Sipas tij, koalicioni është mekanizëm politik së pari dhe më pas teknik-juridik për të garuar në zgjedhje.

“Ky koalicion me këtë marrëveshje i thotë Edi Ramës që; “Jemi të gjithë bashkë”. Ky koalicion do të ketë numrin më të madh të mandateve, që do ta bëjë Bashën kryeministër. Ky koalicion ka të drejtë që të qeverisë. Njerëzit kanë 8 vite që kanë ngelur këtu, janë bllokuar. Ne nuk mbledhim vetëm votën negative, por i shkojmë me program. Ne po bëjmë përpjekjet që numërimi të jetë sa i thjeshtë. Nëse vullneti i maxhorancës nuk është që të prishë procesin, rezultatet e zgjedhjeve nuk do të vonojnë”, sqaroi anëtari i Kryesisësë së PD.