Kryeministri Rama ka paralajmëruar ndëshkime të ashpra për ata që shkelin masat e vendosura për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Në një komunikim në Facebook, Rama tha se lehtësimi i rregullave të qarkullimit do të shoqërohet me masa më të forta ndëshkuese për shkelësit.

Tashmë masat administrative që kanë qenë në fuqi deri sot do të shoqërohen edhe me humbje të lejes së drejtimit e deri në burgosje sipas Ramës. Këto masa shtrënguese ai tha se do të bëhen pjesë e Kodit Penal dhe Rrugor për gjendjen e fatkeqësisë natyrore.

“Do të vendosim masa që kanë të bëjnë me hapjen, por do t’i shoqërojmë me masa shtrënguese shumë të forta. Nëse automjetin privat që merr për punë, e përdor për diçka tjetër, do të humbësh lejen e drejtimit, do të humbësh automjetin për disa vite, përveç se do të paguash edhe gjobë, mund të përfundosh edhe prapa hekurave. Shikoni se çfarë ligjesh ka bota për epidemitë. Për fat të keq ne nuk kemi fare.

Këmbësorët do të penalizohen dhe penalizimi do të jetë jo më një kundravajtje e thjeshtë, do të jetë kundravajtje penale. Po kështu të gjithë ata që do të hyjnë në listën e shkelësve, do të lënë lejen e drejtimit aty. Nëse zotërojnë një automjet privat do ta humbin atë automjet për të njëjtën kohë që do të humbin lejen  e drejtimit.

Për transportimin e personave të tjerë. Nëse merr persona të tjerë ke kryer një kundravajtje penale dhe do të paguash për një vepër penale. Dhe nëse shkon në pikën që të marrësh në makinë persona të sëmurë, të moshuar, të mitur për të cilët nuk je i autorizuar, kjo është e patolerueshme. Këto masa thjesht po i them do të jenë aktive duke filluar nga java e ardhshme. Do të shkojmë në Parlament për të ndryshuar kodet, Penalin dhe Rrugorin”, tha kryeministri Rama.