Deputetja Rudina Hajdari është shprehur e revoltuar ndërsa tha para mediave se nuk i pranon propozimet e PS-së të paraqitura sot nëpërmjet një drafti.

Në një dalje për mediat pas bojkotimit që Opozita e Bashkuar i bëri tryezës së Këshillit Politik, përfaqësuesja e opozitës parlamentare i bëri thirrje mazhorancës që të reflektojë mbi këtë propozim të fëlliqur sipas saj që i mban listat e mbyllura.

“Propozimi i PS i papranueshëm duhet të kuptohet që të mos hapë listat, thanë se kanë merak për përzgjedhjen e grave. Duhet të ketë një kandidat preferencial. Unë i bëj thirrje PS që po bën një hap mbrapa, nuk është kjo lista e hapur, sepse lënë jashtë garën. Është një truk për të mbajtur listat e mbyllura. I kërkoj që të reflektojë mbi këtë propozim që i mban listat e mbyllura. Është një gjë që duhet ta çojmë deri në fund. Do të luftoj deri në fund për listat e hapura. Boll me kryetarë që vënë në renditje ato kandidatë që i mbajnë si pëllumba e si dele. Ata po përpiqen që t’i mbajeni, por PS të reflektojë  me këtë propozim të fëlliqur. Kam parë sot që ai draft cenon këtë parim për t’i dhënë shqiptarëve atë që duam, për t’i dhënë shqiptarëve listat e hapura”, tha Hajdari.