Mbrëmjen e së martës, Këshilli Kombëtar i PD vendosi krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë. Lideri Lulzim Basha dha direktivë të qartë që brenda datës 15 qershor duhet të ngrihet kjo Aleancë në 61 bashkitë e vendit. Vendimi i marrë nga Këshilli Kombëtar i PD-së vjen vetëm pak ditë pasi presidenti Ilir Meta çdekretoi datën 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe opozita e bashkuar zhvilloi në Tiranë protestën e 8-të kombëtare.

Ndërkohë, nga sot pasdite presidenti Ilir Meta ka njoftuar nisjen e konsultimeve me partitë politike për caktimin e datës së re të zgjedhjeve. Zyra e shtypit e kreut të shtetit njoftoi paraditen e sotme, se në orën 19.00, presidenti do të takohet me krerët e partive të Grupimit të Qendrës së Djathtë, të cilët, pak javë më parë, i kërkuan Metës shtyrjen e datës së zgjedhjeve lokale.

E ndërkohë që situata politike është mjaft e ngarkuar dhe ka zhvillime të reja jo vetëm çdo ditë, por edhe çdo orë, Partia Demokratike e Durrësit po ndërmerr hapat e parë për krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në qytetin bregdetar.

I kontaktuar nga DurrësLajm, sekretari i degës lokale, Luan Hoti bëri të ditur se pasditen e sotme, në orën 19.00 do të mblidhet kryesia e degës ku do të diskutohet implementimi në terren i vendimmarrjes më të fundit të Këshillit Kombëtar.

“Sot në orën 19.00 do të mbahet mbledhja e kryesisë së degës për të trajtuar implementimin në terren të vendimmarrjes së Këshillit Kombëtar. Kryesia e PD Durrës dhe strukturat e saj kanë brenda tyre personalitete të qytetit me kontribute në të gjitha fushat. Bazuar në vendimet e Këshillit Kombëtar ky spektër do të zgjerohet edhe më shumë. Po kështu, brenda javës ne do të kontaktojmë me të gjithë aktorët partiak dhe jo partiak që janë kundër kësaj qeverie”,-thotë Hoti për DurrësLajm.

Sekretari Hoti nënvizon gjithashtu se dega e Durrësit do t’i pamundësojë kryeministrit Rama mbajtjen e zgjedhjeve në datë 30 qershor në qytetin bregdetar.

“Nga dita në ditë, kryeministri do të detyrohet të bindet se nuk mund t’i shkojë deri në fund aventurës tiranike”,-thotë Hoti.

M.B.