Ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj ka bërë fajtorë të drejtpërdrejtë kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Jashtëm, Gent Cakaj për mos hapjen e negociatave.

Në reagimin e saj, Mehmetaj tha se priste që në konferencën që Cakaj dha mesditën e kësaj të shtune të jepte dorëheqjen, por në një kohë që një gjë e tillë nuk ndodhi, ajo tha se e kuptoi qartë që vendi ka një nivel diplomacie të ulët. Ish-deputetja shtoi se ajo konferencë shërbeu për të mësuar disa mesazhe të rëndësishme.

“Në momentin që pashë lajmërimin për konferencën e shtypit të zëvendësit, Z.Cakaj, mendova se KM e kishte planifikuar “kurbabin” e rradhës e në vend të tij do kishte detyruar zëvendësin të dorëhiqej. Por jo! Pas një përpjekjeje shumë të vështirë për të kuptuar çfarë donte të thoshte Z.Caka (dhe vetëkuptohet se vështirësia nuk vinte nga dialekti) gjatë konferencës së shtypit, dola në përfundime:

1- Me këtë nivel të dobët diplomacie, Shqipëria edhe sikur te ishte e zhvilluar sa Zvicra, nuk do ja dilte të avanconte në proceset integruese.

2-Si rrjedhojë e naivitetit apo porosisë, Zëvendësi Cakaj vazhdoi të përsërisë dogmat dëshpëruese të Ramës se krimi, azilkërkuesit, abuzimi me pushtetin dhe autokracia në Shqipëri janë bishta që i përdorkërka Macron për të fituar vota në Francë”, tha Mehmetaj.

Deklaratës së ministrit se nuk kanë pse të japë ai dhe as Rama dorëheqjen se nuk kanë premtuar negociatat, Mehmetaj e ka komentuar me ironi, duke thënë se Rama jo vetëm i tejkaloi kufijtë e premtimit, por e bëri fakt të kryer hapjen e negociatave.

“Se Edi Rama, Zëvendësi e ministrat e qeverisë, nuk kanë përse të largohen se nuk kanë premtuar ndonjëherë hapjen e negociatave (kujtoj këtu deklaratën publike të 2018 ku Rama tha se negociatat janë hapur e kemi marrë datën e fillimit të punës). Tani, nëse e marrim të mirëqenë se ata nuk kanë premtuar çeljen e negociatave, a mos vallë kanë premtuar diku MiniSchengen-in Ballkanit pa Kosovën e Malin e Zi, njësoj si kishin premtuar ndarjen e Kosovës? Dhe mbi të gjitha kujt ja kanë bërë këtë premtimin e çfarë fitojnë nga trazirat që mund të krijohen në rajon si rrjedhojë e realizimit të këtyre premtimeve? Dorëheqja është pak, këta duhet të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit”, përfundoi Mehmetaj.