Kur kanë mbetur edhe pak orë nga skadimi i afatit që mazhoranca dhe opozita u angazhuan për të përmbyllur Reformën Elektorale në tryezën e Këshillit Politik ka ardhur edhe apeli i Presidentit Ilir Meta.

Përmes një deklarate, kreu i shtetit iu kujton përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës të mbajnë premtimin e tyre për konsensus.

Presidenti i fton palët në tryezë të mos kenë më frikë nga vota e lirë dhe e barabartë e qytetarëve të vendit dhe t’u japin mundësi të shprehen, jo vetëm për partitë, por edhe për deputetët që këta të mos heshtin më në Parlament e të vazhdojnë të ngrenë duart për ligje e politika që shtojnë varfërinë në vend dhe favorizojnë vetëm një grusht oligarkësh dhe politikanësh që kurrë s’duan të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi.

Kreu i shtetit thotë se për të dhënë shembullin i pari i fton aktorët politik që të vendosin  edhe zgjedhjen e Presidentit nga populli, që në këtë vend Presidenti të mos këtë më detyrime ndaj asnjë partie, por vetëm ndaj Kushtetutës, qytetarëve dhe Republikës.