Presidenti Ilir Meta i ka bërë apel të rinjve që të “bashkohen dhe të marrin në dorë fatet e tyre dhe të atdheut”. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i shtetit thotë se shumica e të rinjve përballen me pengesa, përjashtime, moskuptime dhe zhgënjime të mëdha.

“Ju kanë detyruar të gjeni forma të ndryshme për t’u arratisur nga ky realitet i papranueshëm, deri edhe në largim masiv nga Atdheu”, shkruan Meta.

Por pavarësisht momenteve të vështira presidenti thotë se populli ynë është ringritur duke i bërë ballë vështirësive dhe duke shkatërruar kërcënimet. Apelin e tij, Meta e bëri në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë dhe thotë se tashmë është koha që ata të mbrojnë të ardhmen e Shqipërisë.

“Unë besoj në vetëdijen dhe përgjegjshmërinë e madhe që do të merrni për ta ushtruar me vendosmëri dhe shqiptari këtë detyrë të lartë! Koha që zëri juaj të dëgjohet! Po, Shqipëria do bëhet nga rinia! Nëse jo ju, kush tjetër?! O sot, o kurrë”, shkruan Meta.