Mëngjesin e sotëm kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, bashkëbiseduan dhe konsumuan një kafe me banorët e njësisë nr. 4 në Tiranë.

Por përveç problemeve të përditshme, fokusi i tyre u përqendrua te zhvillimet e fundit politike. Kryeministri Rama iu përgjigj interesimit të qytetarëve se çdo ndodhte nëse Presidenti dekreton një datë tjetër zgjedhjesh, apo vendos të shpërndajë Parlamentin.

“Do doja të flisnim si të punojmë, si të rregullojmë, po ç’t’i bësh, Presidenti ka marrë drejtimin e opozitës, dështon Luli ndërhyn Iliri. Është fatkeqësi e madhe për institucionin por s’kemi ç’bëjmë. E thashë unë erdhi dita që edhe Nishani të duket si Xhefersoni. Habi e madhe. Kur bëmë marrëveshjen (18 maj 2017) atëherë që ishte e deklaruar nga të dyja palët ata të Presidencës merrnin në telefon, na dërgoni letrat me firmë të përbashkët që jeni dakord për shtyrjen e zgjedhjeve, e kërkonte me shkrim. Po ky tani? Ky i hodhi benzinë zjarrit me atë marrëzinë e ç’firmosjes së firmës së vetë. Ju dha motiv këtyre të mbrohen duke thënë do respektojmë dekretin. Ajo histori e ka marrë përgjigjen edhe nga Kolegji Zgjedhor. Askush s’e ve në diskutim vendimin e Kolegjit se ai vulos zgjedhjet. Sa për datë të re, ai mund të bëjë ç’të dojë, po do jetë nul. Kot e ka, këtu ka institucione. Presidenti s’ka asnjë të drejtë në asnjë rresht të Kushtetutës por kur Kushtetutën e lexon në filxhan…”, tha Rama.