Në një ceremoni solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Vlerësimi u bë me motivacionin "Për kontributin e çmuar në intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë; për forcimin e mëtejshëm të miqësisë shumëshekullore midis popullit shqiptar dhe atij kroat; si dhe për mbështetjen e pakursyer në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian".

Në fjalën e tij në ceremoninë e dekorimit të Presidentes së Kroacisë, Presidenti Meta tha se "Shqiptarët dhe kroatët kanë ndërtuar në shekuj lidhje të fuqishme miqësie e bashkëpunimi."

“Sot demonstruam edhe një herë dëshirë dhe vullnet të përbashkët për t’i çuar më përpara e forcuar marrëdhëniet në të gjitha fushat, ku padyshim ai ekonomik e kulturor mbeten ndër prioritetet tona kryesore.  Së shpejti do t’i ngremë ato në nivelin e Partneritetin Strategjik, në dobi të marrëdhënieve midis dy vendeve, por edhe të rajonit tonë të përbashkët”, tha Meta.

Presidentja e Kroacisë e falenderoi Presidentin Meta duke theksuar se ky vlerësim ndaj saj shkon për të gjithë popullin kroat.

"Ju falënderoj zoti President për këtë nderim, që në fakt nuk është vetëm për mua, por edhe për popullin kroat, duke më akorduar Dekoratën e Flamurit Kombëtar! Ky titull që po marr është simbol i një miqësie të thellë mes vendeve tona, veçanërisht mes shqiptarëve dhe kroatëve dhe u jam mirënjohëse si ju personalisht, po ashtu dhe Shqipërisë."