Presidenti Ilir Meta ka dekoruar në një ceremoni solemne futbollistin e shquar të Lushnjës dhe të Ekipit tonë Kombëtar, Abdurrahman Roza Haxhiu, (pas vdekjes), me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.

Kreu i Shtetit nderoi futbollistin lushnjar, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributet e jashtëzakonshme në zhvillimin e futbollit në qytetin e Lushnjës dhe lojën e tij të paharruar si lojtar i Ekipit Kombëtar. Një futbollist me aftësi të shkëlqyera, ‘dëshmor’ i fushës së blertë, një sportist model, i cili u bë shembull frymëzimi për futbollistët e rinj”.

Në fjalën e Tij, drejtuar familjarëve, ish-kolegëve, futbollistëve dhe personaliteteve të sportit, Presidenti Meta u shpreh:

“Është një privilegj dhe kënaqësi e veçantë të vlerësoj me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, Abdurrahman Roza Haxhiun, ose Roza Haxhiun, siç e njohin të gjithë lushnjarët dhe shqiptarët, një nga futbollistët e mëdhenj dhe të paharruar, për kontributin dhe rezultatet e shkëlqyera të arritura në sport.

Aq më tepër është kënaqësi, që ky vlerësim bëhet në këtë vit historik të 100-vjetorit të Kongresit të Lushnjës, ku familja Haxhiu, ka pasur një kontribut të veçantë.

Roza Haxhiu, ka qenë pa diskutim një autoritet i futbollit shqiptar dhe mbetet i tillë, shumë i njohur dhe i vlerësuar në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Është një prej legjendave të historisë së sportit tonë.

Roza Haxhiu, djali i Bajram Haxhiut, një nga anëtarët e Komisionit nismëtar të thirrjes së Kongresit të Lushnjës, që në fëmijërinë e tij, ëndërronte të bëhej yll i fushës së blertë. Talenti i tij u duk që në moshë të re, me ekipin e të rinjve të Lushnjës.

Roza Haxhiu, ishte një futbollist i shquar, i viteve 50-60’, talent i rrallë si dhe golashënues i klasit të parë me ekipin Kombëtar, me Lushnjën, Dinamon, Besën dhe Partizanin.

Roza Haxhiu, jetoi shumë pak, rreth tre dekada e gjysëm, e thuajse gjysmën e viteve të moshës së tij, ja kushtoi tërësisht futbollit, sportit të zemrës dhe pasionit.

Madje mund të themi se, nëse sporti ka martirët e tij, Roza, është një nga ata luftëtarë, që me të vërtetë ra në fushën e blertë të stadiumit, i aksidentuar për vdekje, nga një goditje vdekjeprurëse në kokë e cila i mori edhe jetën, që ai aq bukur dinte ta jetonte.

Roza Haxhiu u dallua si një mesfushor me vizion të gjerë. I papërtuar, i shkathët, teknik, me një diapazion të gjerë për lojën, e mbi të gjitha, me një shpirt tepër të madh.

Roza Haxhiu, luajti edhe për skuadrën kombëtare të Shqipërisë, ku dallohej për teknikën dhe cilësitë e tij, duke u kthyer në një simbol të futbollit Shqiptar.

Për të plotësuar figurën e tij komplekse si futbollist, nuk mund të mos përmend takimet e paharruara të Partizanit në Leipzig të Gjermanisë, në shtator të vitit 1958, ku Roza Haxhiu pati, kontribut të veçantë për fitimin e medaljeve të argjenda.

Goditja në Plovdiv të Bullgarisë, në vitin 1958, ku Roza mori pjesë si titullar në ekipin e Partizanit në një turne miqësor, ku ai pësoi dëmtimin e rëndë, padyshim u shndërrua më pas në një sëmundje të përditshme që i kërcënoi jetën.

Pas shumë përpjekjesh dhe vonesash burokratike, arrin të sigurojë një lejekalimi për t’u operuar në Itali, por ishte tepër vonë. 19 Maji i vitit 1964, rrëmbeu Rozën jo vetëm nga gjiri i familjes dhe njerëzve më të afërt, por edhe i shokëve, i miqve, i të afërmëve, bashkëlojtarëve dhe sportdashësve të shumtë.

Abdurrahman Roza Haxhiu, iku si rrallëkush. Ai u nda nga jeta duke merituar respektin, vlerësimin dhe përjetësinë. Shembulli dhe virtuoziteti i tij, kanë mbetur në kujtesën e sportdashësve tanë dhe është shkruar me gërma të arta në historinë e sportit tonë.

Më lejoni me këtë rast t’ju shpreh respektin dhe mirënjohjen time të sinqertë, familjes së dashur të Rozës së madh, futbollistëve, miqve e kolegëve të tij, që e kujtojnë gjithmonë me respektin që ai meritonte, si futbollist i madh dhe si një njeri i mrekullueshëm.

Mirënjohje dhe respekt për atë ç’ka i keni dhënë sportit lushnjar dhe atij kombëtar, si një legjendë e paharruar, që ishte pikërisht Roza Haxhiu.

Stadiumi i Lushnjës, ‘Roza Haxhiu’, mban sot emrin e tij, në shenjë respekti për kontributin që ka dhënë ky futbollist dhe trajner për futbollin lushnjar por edhe për atë Kombëtar.

Është kënaqësi për mua që të akordoj sot vlerësimin e lartë, “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, për Roza Haxhiun, këtë legjendë të futbollit dhe të sportit tonë.

I përjetshëm kujtimi i tij!”