Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka reaguar pas kërkesës së Presidentit Ilir Meta për dorëheqjen nga posti që ajo mban dhe përballje me drejtësinë.

Në një reagim në Twitter, Gjonaj shkruan se Presidenti ka në dorë vetëm dorëheqjen e tij, ndërsa thotë se është e gatshme të përgjigjet ligjërisht.

“E përshëndes Presidentin që pas disa shfaqjesh publike pa ekuilibër etik, ka zgjedhur t’i drejtohet SPAK me një kallzim penal për mua; një marrëzi e radhës po të paktën në rrugë institucionale, madje drejt një institucioni të dalë nga Reforma që ai lufton pa fre!

Jam e gatshme t’i përgjigjem ligjërisht, me të gjithë përgjegjësinë po edhe me krenarinë që i përkas Frontit të Reformës në Drejtësi, denigruesit botërisht të njohur të kësaj reforme jetike! Sa për dorëheqjen zotëria ka në dorë vetëm të tijën dhe të askujt tjetër.”, shkruan ministrja.