Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka deklaruar se do të japë dorëheqjen, nëse Partia Socialiste merr 71 mandate në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Meta tha se dorëheqjen do e jepte nëse PS votohet nga populli shqiptar, por jo nëse mandatet merren përmes manipulimit të zgjedhjeve. Presidenti shtoi se pasi të japë dorëheqjen, do të kalojë në frontin opozitar.

“Në këtë tokë Zot është populli i Shqipërisë, pikë! Mori Edi Rama 71 mandate? Unë më 26 prill do të jap dorëheqjen, kaq do ta bëj, siç bëri Ramiz Alia. Nëse ai merr 71 mandate, pa prekur votën e popullit, unë do të jap dorëheqjen dhe unë do të kaloj në opozitë, sepse unë respektoj demokracinë. Ama nëse preket një votë e lirë e shqiptarëve, këtu historia mbaron. Nuk më intereson fare, unë besoj te vota e lirë dhe demokracia. Kam qenë student i dhjetorit dhe kam dalë në një protestë e rrezik të madh, nuk e dinim cfarë do të ndodhte me mua e të tjerë. Mendonim ku do na cojnë, në Spac e diku tjetër, kur na futën në furgon. Ramiz Alia ishte një njeri që i thirri mendjes dhe nuk e pati mbylljen aq të keqe. Dy gjëra janë degraduar, që jemi kaq mbrapa ne, jemi këtu sepse nuk kemi treguar respektin tonë ndaj vetes dhe votës sonë, e kemi dorëzuar apo treguar, e dyta se kemi toleruar prekjen e Kushtetutës dhe kjo ka sjellë këtë situatë, që të kapet shteti”, u shpreh Kreu i Shtetit në “News24”.