Presidenti Ilir Meta ka dhënë një mesazh të fortë kundër dhunës.

Meta shkruan në Facebook se kur çdo formë dhunë nuk ndëshkohet, dhuna kthehet në sistem.

Ai thekson se një shoqëri si e jona që familjen e ka të shenjtë, duhet të ngrihet më këmbë për mbrojtjen e saj.

POSTIMI I METËS

Kur çdo formë dhune tolerohet, justifikohet dhe nuk ndëshkohet nga shteti, atëhere dhuna kthehet në sistem!

Vlerësoj dhe e përshëndes reagimin e djeshëm qytetar në protestën marshim të organizuar dje në Tiranë, dhe do t’i mbështes e inkurajoj gjithmonë të gjitha nismat kundër çdo forme dhune dhe abuzivizmi.

Një shoqëri demokratike dhe sociale, nuk mund të ketë evolucion pa inkurajuar përpjekjet për fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave, veçanërisht pa përmbushur detyrimet për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

I bëj thirrje drejtësisë të mos vonojë në nxjerrjen e përgjegjësive për rastin e abuzimit të 15-vjeçares në Babrru, dhe nxis institucionet arsimore të jenë më të vëmendshme në parandalimin dhe denoncimin e këtyre rasteve tronditëse.

Një shoqëri si e jona, që familjen dhe vlerat e saj i vlerëson të shenjta, duhet të ngrihet e gjitha në këmbë për mbrojtjen e tyre!