Në fjalën e tij para komisionit hetimor parlamentar, Presidenti Ilir Meta, tha se një ditë para se të shpallte anulimin e datës së zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, kishte marrë informacion se persona të caktuar do të shfrytëzonin mitingun e paralajmëruar nga opozita, mes të tjerave, edhe për djegien e Kuvendit të Shqipërisë më 8 qershor.

“Presidenti i Republikës, për shkak të detyrës së tij ka pasur informacione të mjaftueshme, për përpjekje për të organizuar akte destabilizimi në vend. Në mënyrë të veçantë, në datën 7 qershor, një ditë para se Presidenti të bënte publik shfuqizimin e datës 30 Qershor, ka marrë një informacion, sekret dhe të klasifikuar, në rast se komisioni dëshiron të njihet me të mund të ndodhë pasi të marrim edhe konfirmimin nga institucioni. Ky informacion bënte të qartë se persona të caktuar do të shfrytëzonin mitingun e paralajmëruar nga opozita, mes të tjerave, edhe për djegien e Kuvendit të Shqipërisë.”

Meta tha se ky informacion ishte i besueshëm duke pasur parasysh edhe zhvillimet e kaluara.

“Presidenti nuk mund të pranonte, lejonte apo të mos shmangte një Rajshtag të ri në Shqipëri, e cila mund të prodhonte jo vetëm plagosje të policisë dhe qytetarëve, por edhe një shkatërrim të imazhit të Shqipërisë. Sëbashku me ekipin tim, pas këtyre informacioneve, gjykuam se ishte momenti i duhur për të parandaluar një ngjarje që mund të sillte pasoja të mëdha.”