Marrëveshja e 5 qershorit dhe përmbushja e angazhimit nga politika për zbatimin e saj ka qenë në fokus të diskutimeve të presidentit Meta dhe Ambasadorëve të BE-së në takimin e sotëm në Presidencë.

Në një prononcim për gazetarët, Meta ishte i qartë kur tha se nëse kjo marrëveshje shkelet ka vetëm një fajtor, duke nënkuptuar kryeministrin Rama.

“Për fat të keq sjellja me ndryshimet kushtetuese antikushtetuese dhe terësisht të njëanshme që u përpoq të godasë marrëveshjen e 5 qershorit tregon se jemi në një kurs të kundërt nga ajo që pritet nga shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë.

Çështja e hapjes së listave u takon palëve, për mua si president mbetet e rëndësishme respektimi i marrëveshjes së 5 qershorit për të cilën i falënderova ambasadorët për kontributin, edhe unë u përpoqa të jap kontributin tim në drejtim të insistimit që opozita të mos vendoste qeverinë teknike si kusht për zgjedhjet e ardhshme edhe pse janë të gjitha provat që kjo qeveri vë dorë mbi zgjedhjet në mënyrë të hapur dhe brutale. Opozita bëri lëshimin shumë të madh që të mbyllej kjo marrëveshje. Gjërat janë të qarta. Ka mbetur pak kohë për të reflektuar dhe uroj të ketë reflektim.

Përndryshe kuptohet se përgjegjësia do të jetë vetëm e një fajtori, nuk do të jenë dy fajtorë nëse do të shkelet marrëveshja e 5 qershorit dhe as 4 fajtorë, vetëm një fajtor i cili për fatin e tij personal kërkon të vërë në pikëpyetje fatin e 4 milion shqiptarëve. Secili politikan duhet të ndajë çështjen shtetërore dhe interesin kombëtar nga çështjet politike dhe interesi personal.

Çështjet shtetërore dhe interesi kombëtar janë të paprekshme dhe duhet të respektohen njësoj nga të gjithë. Kush mendon se fati i tij është më i rendësishëm se e ardhmja europiane e Shqipërisë e ka shumë gabim. Është në kohë për të reflektuar dhe për të përmirësuar pozitën e vet, duhet të thellohen“, tha Meta.