Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend dy ligje mëngjesin e kësaj të marte. Bëhet fjalë për Ligjin për Privatizimin e Shoqërive Tregtare, si dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Vendore. Presidenti ka përcjellë edhe arsyet e kthimit të këtyre dy ligjeve si më poshtë:

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 37/2019

“Për disa shtesa në aktin normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr. 9967, datë 24.7.2008, ndryshuar me ligjin nr. 3/2015”.

Në seancën plenare të datës 20 qershor 2019, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 37/2019 “Për disa shtesa në aktin normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr. 9967, datë 24.7.2008, dhe ndryshuar me ligjin nr. 3/2015”.

Ky ligj i është dërguar Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje me shkresën nr.2596 prot., datë 26.06.2019 të Kuvendit, administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr. 2003 prot., datë 26.06.2019.

Sipas relacionit që ka shoqëruar projektligjin dhe sipas përmbajtjes së dispozitave të miratuara nga Kuvendi, ky ligj ka për objekt dhe qëllim të tij të bëjë disa shtesa në aktin normativ, me fuqinë e ligjit, nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, dhe ndryshuar me ligjin nr.3/2015, në mënyrë që ky akt normativ të përshtatet në funksion të disa sipërfaqeve toke shtetërore që preken nga planet e përgjithshme vendore.

Kjo nisëm legjislative është propozim i Këshillit të Ministrave dhe për shqyrtimin e saj, kjo çështje është ndjekur nga Komisioni i Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë, në cilësinë e komisionit përgjegjës.   

Në relacionin shoqërues të Këshillit të Ministrave ndërmarrja e kësaj nisme referohet se është marrë shkas nga vullneti i mirë për të adresuar disa problematika që ndeshen aktualisht me disa sipërfaqe toke shtetërore, të cilat preken nga planet e përgjithshme vendore.

Konkretisht, sipas Këshillit të Ministrave në mjaft raste ekzistojnë sipërfaqe të ndryshme toke pronë private të cilat janë të përfshira në planet e miratuara të zhvillimit urban nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore. Këto sipërfaqe toke private rrethojnë, prekin ose janë menjëherë në kufi me copëza/sipërfaqe relativisht të vogla toke në pronësi të qeverisjes qendrore ose të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Gjithashtu, është vendosur kushti që pjesa shtetërore që tjetërsohet sipas këtij ligji të mos jetë më e madhe se 20 për qind e pronës që do të zhvillohet, ndërkohë që kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojë kërkuesi i tjetërsimit me kontratë të pronës shtetërore, mënyrën e vlerësimit të pronës shtetërore, si dhe organet që përfshihen gjatë procesit dhe rolin e tyre do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Institucioni i Presidentit të Republikës vlerësoi përputhshmërinë e këtij ligji duke bërë një analizë të kujdesshme të përmbajtjes së tij me kuadrin ligjor ekzistues në fuqi, si dhe efekteve të aplikimit të kësaj norme të re ligjore me nivelin e mbrojtjes që ky ofron ajo përkndrejt interesit publik.

Në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 37/2019 “Për disa shtesa në aktin normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, Presidenti i Republikës çmon se ky ligj, i paraqitur për shpallje, është një nisëm ligjore e nxituar, jo e plotë dhe fryma e këtij ligji shkon në kundërshtim me kuadrin ligjor aktual në fuqi.

Për këto dhe të tjera arsye të parashtruara në vijim, në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës ka vendosur që ky ligj, i duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit, mbështetur në argumentet e renditura si më poshtë: 

Nëpërmjet Aktit Normativ nr. 4, datë 9.7.2008, i cili është miratuar  me ligjin nr. 9967, datë 24.7.2008, Kuvendi i Shqipërisë ka përcaktuar bazën ligjore mbi të cilën do të realizohen proceset e privatizimit dhe dhënies në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve.

Pasi ky akt normativ me fuqinë e ligjit është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave ka miratuar aktet nënligjore të nevojshme për vlerësimin e objekteve apo ndërmarrjeve si dhe mjeteve të tyre kryesore në kuadër të procesit të privatizimit.

Konkretisht qëllimi i nxjerrjes së Aktit Normativ me fuqinë e ligjit pasqyrohet në nenin 1 të tij , ku paarashikohet se:

“Qëllimi i këtij akti normativ është përcaktimi i organeve dhe i kompetencave, që ato kanë, për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”. 

Pra Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë, ka qenë i qartë në miratimin e këtij akti ligjor, i cili pjesë të fushës së rregullimit ka patur në vijimësi procesin e privatizimit apo dhënies në përdorim, të ish-ndërmarrjeve apo objekteve shtetërore, të cilat sipas vendimit të organit kompetent do të dilnin në privatizim duke kaluar kështu në pronësi private.

Kjo llogjikë e privatizimit të një pasurie shtetërore sipas këtij ligji ndiqet në gjithë nenet vijuese të tij ku psh: në nenin 3 dhe 4 parashikohet se kalimi i pronës shtetërore në pronë private drejtohet nga ministria përgjegjëse për ekonominë, e cila përcakton kohën dhe formën e realizimit të privatizimit, për të gjitha pasuritë shtetërore, që i nënshtrohen këtij procesi dhe ku miratimi i privatizimit për pasuritë e luajtshme kryhet nga organi, që i administron ato.  Organi, që kryen procedurat e shitjes së pronës shtetërore, që privatizohet, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe me ligj, është Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave. 

Pra qëllimi i miratimit të Aktit Normativ nr.4, datë 09.07.2008, i ndryshuar, është përcaktimi i rregullit mbi mënyrën se si jepet fillimisht miratimi për privatizimin e një prone shtetërore, e më pas mënyra dhe procedura se si miratohet vlerësimi i një prone deri në procedurat finale të shitjes së saj.

Në kundërshtim me frymën dhe qëllimin e vet Aktit Normativ nr.4, datë 09.07.2008, Kuvendi i Shqipërisë, me ligjin nr. 37 /2019, ka vlerësuar të bëjë disa shtesa në këtë akt ligjor. Konkretisht ligji nr. 37/2019, përmban vetëm një nen sipas të cilit në aktin normativ, bëhet kjo shtesë:

Neni 1

Në nenin 2 bëhen shtesat si më poshtë:

1.Në paragrafin e dytë, në fjalinë e parë, pas fjalës “tenderit” shtohen fjalët “ose tjetërsimit, sipas veprimeve juridike të kalimit të pronësisë së pasurive të paluajtshme, të përcaktuara në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë, përveç formës së kalimit të pronësisë nëpërmjet kontratës së dhurimit.”.

Pas paragrafit të dytë shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:

“Kalimi i pronës shtetërore në private të bëhet edhe në funksion të planeve të përgjithshme vendore, me kushtin që pjesa shtetërore të mos jetë më e madhe se 20 për qind e pronës që do të zhvillohet, sipas kushteve dhe kritereve që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Vendimi i Këshillit të Ministrave, për këto raste, përcakton, gjithashtu, kushtet që duhet të plotësojnë kërkuesit e tjetërsimit me kontratë të pronës shtetërore, mënyrën e vlerësimit të pronës shtetërore, si dhe organet që përfshihen gjatë procesit dhe rolin e tyre”.

Nga përmbajtja e kësa dispozite, rezulton qartë se qeveria dhe Kuvendi, për të adresuar zgjidhjen e rasteve të veçanta ku disa sipërfaqe toke shtetërore, të cilat shtrihen përmes parcelave në pronësi private bëhen pengesë për realizimin e investimeve, pasi nuk ekziston një bazë tjetër ligjore për tjetërsimin e tyre, ka ndërmarrë këtë iniciativë e cila sipas Kuvendit vlerësohet si mënyra më e mirë për t’i dhënë zgjidhje me ligj këtyre problematikave.

Kjo problematikë pranohet në relacionin e Këshillit të Ministrave dhe në raportin e Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut ku arsyetohet se:

“Në mjaft raste ekzistojnë sipërfaqe të ndryshme toke pronë private, të cilat janë të përfshira në planet e miratuara të zhvillimit urban nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore. Por këto sipërfaqe toke private rrethojnë, prekin ose janë menjëherë në kufi me copëza sipërfaqeje relativisht të vogla toke, në pronësi të qeverisjes qendrore ose të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Prandaj, projektligji ka për qëllim zgjerimin e konceptit të privatizimit të parashikuar në aktin normativ, që krahas formës së privatizimit me mënyrën e tenderit, të parashikojë edhe formën e privatizimit me metodën e “tjetërsimit” në funksion të disa sipërfaqeve toke shtetërore që preken nga planet e përgjithshme vendore. Nisur nga fakti se regjimi juridik i pasurive të paluajtshme ndryshon në funksion të llojit apo të mënyrës së përdorimit të tokës, propozimi për këtë rast është që shtesat dhe ndryshimet të kryhen pikërisht duke amenduar aktin normativ nr.4, të ndryshuar, që prek privatizimin e pronave të institucioneve shtetërore.

Tjetërsimi do të bëhet nëpërmjet kontratave të tjetërsimit ku pronësia mbi pasurinë kalon në çastin e lidhjes se kontratës së tjetërsimit të kësaj pasurie. Blerësi apo përfituesi i kësaj pasurie bëhet pronar i ligjshëm i saj që në momentin e nënshkrimit të kontratës, duke fituar të gjitha të drejtat dhe detyrimet që lidhen me qenien e tij si pronar mbi këtë pasuri”.

Nëse krahasojmë drejtpërdrejtë qëllimin për të cilin është nxjerrë Akti Normativ nr.4, datë 09.07.2008 dhe përmbajtjen e ligjit nr.37/2019, rezulton qartë se kemi të bëjmë me dy akte që synojnë të rregullojnë çështje dhe problematika të ndryshme, ndërkohë që krahasimisht të dy këto akte nuk përmbajnë procedura të së njëjtës frymë që të garantojnë në nivel të njëjtë lirinë e veprimtarisë ekonomike.

Nisur nga ky krahasim i qëllimit të miratimit të këtyre dy normave (Aktit Normativ nr.4/2008 dhe ligjit nr. 37/2019), Presidenti i Republikës, arrin në konkluzionin se ndërhyrja që synohet të realizohet nëpërmjet ligjit nr. 37/2019, është krejtësisht e papërshtatshme në mënyrën se si ajo është realizuar.

Rregullimi apo dhënia zgjidhje e problematikave të caktuara që pengojnë zhvillimin e ekonomisë, duhet të zgjidhet me nisma ligjore të plota, të qarta të cilat veçse të garantojnë zgjidhjen e atyre fenomeneve që prodhon jeta shoqërore, duhet të jenë patjetër të mbështetura në parashikimet kushtetuese dhe në harmoni me kuadrin ligjor në fuqi që mbron dhe garanton pronën shtetërore.

Kushtetuta në nenin 11 pika 2 të saj parashikon se, prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj. Kuvendi i Shqipërisë, në respekt të këtij parashikimi kushtetues, ka miratuar ligjin nr. 8743, datë 22.2.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”.

Në këtë ligj në nenin 2 të tij përcakohet qartë se:

Ndërkohë në nenin 3 të këtij ligji përcaktohet qartë se kush janë ato prona të paluajtshme që i përkasin shtetit dhe bëjnë pjesë në pronat e paluajtshme publike të patjetërsueshme. Ndër parashikimet e tjera në nenin 3, pika 4 të ligjit nr. 8743, datë 22.2.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, parashikohet se:

“4. Pronat e paluajtshme publike tjetërsohen ose jepen në përdorim sipas mënyrave dhe kufijve të përcaktuar me ligje të veçanta”.

Po kështu për ti dhënë një status mbrojtje të vecantë ky ligj në nenin 4, pika 2 parashikon se:

“Ndryshimi i statusit të një prone të paluajtshme të shtetit nga publike në jopublike bëhet sipas procedurave të përcaktuara me ligj”.

Në referim të këtyre parashimimeve të ligjit për mbrojtjen e pronës shtetërore si asaj që konsiderohet pronë e paluajtshme e shtetit dhe asaj që konsiderohet pronë e paluajtshme publike, rezulton se ligji nr. 37/2019, bie në kundërshtim flagrant me parashikimet e ligjit nr. 8743, datë 22.2.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”.

Konkretisht ndërkohë që ligji nr. 8743, datë 22.2.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, përcakton si të detyrueshme që pronat e paluajtshme publike apo pronat e paluajtshme të shtetit tjetërsohen ose jepen në përdorim sipas mënyrave dhe kufijve të përcaktuar me ligje të veçanta, ligji nr. 37/2019 në nenin 1, pika 2 parashikon që kalimi i pronës shtetërore në private në funksion të planeve të përgjithshme vendore, me kushtin që pjesa shtetërore të mos jetë më e madhe se 20 për qind e pronës që do të zhvillohet, sipas kushteve dhe kritereve që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.

Pra sipas parashikimeve të nenit 1, ligji nr. 37/2019, autorizon Këshillin e Ministrave, për të përcaktuar kushtet që duhet të plotësojnë kërkuesit e tjetërsimit me kontratë të pronës shtetërore.

Pikërisht ky delegim që jep ligji nr. 37/2019, tek organi i Këshillit të Ministrave, është i ndaluar sipas parashikimeve të ligjit nr. 8743/2001, i cili kërkon që pronat e paluajtshme publike apo pronat e paluajtshme të shtetit tjetërsohen ose jepen në përdorim sipas mënyrave dhe kufijve të përcaktuar me ligj, dhe jo me vendim të Këshillit të Ministrave.

Kjo situatë, krijon një mbivendosje të asaj që lejohet dhe asaj që ndalohet midis normave rregullatore të nivelit të njëjtë, pra me ligj. Kjo gjëndje konkuruese midis normave ligjore krijon rrezikun që në praktikë të krijohet konflikt institucional midis institucioneve shtetërore që zgjedhin ti referohet dispozitave të ndryshme të ligjit për të njëjtin fakt, apo mundësi të keqzbatimit në praktikë të normës të sapomiratuar.

Në rast se kjo normë e re ligjore (ligji nr. 37/2019), do të aplikohet sipas përmbajtjes së saj, në praktikë do të ndeshemi në një situatë ku Këshilli i Ministarve do të miratojë rregulla se si të tjetërsojë një pasuri publike truall në funksion të nismës së ndërmarrë, ndërkohë që nga ana tjetër ligji nr.8743/2001, për shkak të llojit të pasurisë publike apo shtetërore të përfshirë në proces nuk lejon tjetërsimin e saj po së njëjtës pronë.

Në këtë mënyrë Presidenti i Republikës, vlerëson se nëse Kuvendi vërtet dëshiron që t’i japë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi që ka konstatuar rruga më e mirë për të garantuar siguri të plotë juridike dhe një adresim afatgjatë është që të hartojë një ligj krejtësisht të ri duke përfshirë brenda tij, edhe ato çështje që me ligjin nr. 37/2019, është menduar t’i delegohen Këshillit të Ministrave.

Të nderuar deputetë,

Për arsyet e parashtruara më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1, të nenit 85 të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 37/2019 “Për disa shtesa në aktin normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr. 9967, datë 24.7.2008, dhe ndryshuar me ligjin nr. 3/2015”, me qëllim rishikimin nga Kuvendi i Shqipërisë.

***

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 38/2019

 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore””

Të nderuar deputetë,

Kuvendi i Shqipërisë, në seancën plenare të datës 20 qershor 2019, ka miratuar ndër të tjera dhe ligjin nr. 38/2019, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore””.

Me shkresën nr. 2596 prot., datë 26.06.2019 të Kuvendit, ky ligj është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje, praktikë kjo e administruar me nr. 2003 prot., datë 26.06.2019.

Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare mbi propozimin, shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji rezulton se ligji i miratuar në Kuvend “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore””, ka si qëllim kryesor që nëpërmjet ndryshimeve të propozuara sipas nenit 1 të tij, ai synon të nxisë dhe fuqizojë bashkëpunimin në të gjitha fushat me shqiptarët jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe shtetet ku ata banojnë, si dhe të mbrojë interesat e shtetit brenda fushave të përgjegjësisë.

Gjatë zbatimit të ligjit nr.139/2015, është evidentuar nevoja për implementimin e plotë të dispozitave kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve, si edhe nevoja për krijimin e mekanizmave ligjorë në nivel vendor sa i takon zhvillimit të raporteve me diasporën.

Pikërisht realizimi i këtij qëllimi është parashikuar me miratimin e nenit 1 dhe nenit 2 të ligjit nr. 38/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore””.

Një tjetër ndryshim i propozuar me ligjin nr. 38/2019, është edhe ndarja e kompetencave të Këshillit Bashkiak në rastet e tjetërsimit të pronës me të drejtën për dhënien në përdorim. Njëkohësisht me këto ndryshime është zgjeruar koncepti i tjetërsimit të pronës publike duke shtuar brenda tij dhe të drejtën e zhvillimit të pronës nga organet e pushtetit vendor.

Konkretisht nëpërmjet ligjit nr.38/2019, synohet të ndryshohen nenet 54 dhe 55 të ligjit nr.139/2015 “Për vetqeverisjen vendore”, që parashikojnë detyrat dhe kompetencat e Këshillave Bashkiakë, mënyrën e vendimarrjes dhe kuorumin e nevojshëm për çdo lloj vendimmarrje të këtyre organeve përfshi këtu dhe vendimmarrjet për tjetërsimin e pronës publike.

Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare, rezulton se ndryshimet e propozara në nenet 54-55 të ligjit nr. 139/2015, nuk janë propozuar nga Këshilli i Ministrave, por ato janë propozime të paraqitura nga relatori i projektligjit në Komisionin e Çështjeve Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë dhe të mbështetura nga anëtarët e Komisionit.

Ky projektligj është shqyrtuar në dy komisione në Kuvendin e Shqipërisë, konkretisht në Komisionin për Politikën e Jashtme që kanë lidhje me ndërhyrjet të realizuara me nenin 1 të ligjit nr. 38/2019, si dhe në Komisionin e Çështjeve Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut përsa i takon pjesës tjetër të ligjit të miratuar.

Presidenti i Republikës shqyrtoi ligjin nr. 38/2019, duke ju referuar përmbajtjes së aktit të dërguar për dekretim dhe shpallje, praktikës parlamentare të ndjekur për këtë qëllim dhe legjislacionit ekzistues.

Presidenti i Republikës vlerësoi përputhshmërinë e këtij ligji, duke bërë një analizë të përmbajtjes së aktit të miratuar në raport me interesin publik.

Në përfundim të këtij shqyrtimi, Presidenti i Republikës vlerëson të evidentojë se dispozitat e nenit 1 të ligjit nr. 38/2019, janë një hap shumë pozitiv i Kuvendit të Shqipërisë në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve.

Nëpërmjet dispozitave të nenit 1 të ligjit nr. 38/2019, shteti shqiptar bën një hap të rëndësishëm drejt procesit të implementimit të reformës ligjore dhe institucionale për ndërtimin e marrëdhënieve të natyrshme të atdheut me shtetasit e vet, nëpërmjet dhënies së shërbimeve për diasporën dhe migracionin.

Nisur nga këto qëllime shumë positive Presidenti i Republikës, shpreh dakordësinë e tij për realizimin e shtesave në ligjin ekzistues nr. 139/2015, që bëhen të mundura nëpërmjet dispozitave të nenit 1 të ligjit nr. 38/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore””.

Nga ana tjetër, referuar përmbajtjes së nenit 3 dhe nenit 4 të ligjit nr. 38/2019, objekt i këtij shqyrtimi Presidenti i Republikës, ka arritur në përfundimin se propozimi i relatorit për realizimin e ndryshimeve ligjore në nenin 54-55 të ligjit nr. 139/2015, cenon procesin vendimmarrës së Këshillave Bashkiake në lidhje me tjetërsimin e pronave të tyre. Këto ndryshime janë të pajustifikuara, pasi mënyra e re që propozohet për kuorumin e nevojshëm në vendimmarrjet e Këshillave Bashkiake nuk garanton mbrojtjen e interesit publik në procedurat e tjetërsimit të aseteve publike në pronësi të pushtetit vendor.

Bazuar mbi këtë arsyetim, të shpjeguar si më poshtë vijon, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës, vlerëson se ligj nr. 38/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore””, i duhet kthyer Kuvendit, me qëllim rishikimin e neneve 3 dhe 4 të këtij ligji.

Konkretisht;

Në nenin 54/e të ligjit aktual nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, parashikohet shprehimisht se:

Neni 54

Detyrat dhe kompetencat e këshillit bashkiak

Këshilli bashkiak ka këto detyra dhe kompetenca:

e) miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve;

Ndërkohë që  në nenin 55, pikat, 3 dhe 4, parashikohet se:

Neni 55

Votimi

Vendimet merren me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të këshillit për rastet e parashikuara në shkronjat “a”, “b”, “c”, “d”, “dh”, “f”, “g”, “gj”, “i” dhe “j”, të nenit 54, të këtij ligji.

Vendimet merren me jo më pak se tre të pestat e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit për rastin e parashikuar në shkronjën “e”, të nenit 54, të këtij ligji.

Pra siç duket qartë, sipas dispozitave të mësipërme ligjore, është parashikuar shprehimisht në ligj se Këshilli Bashkiak, për të gjitha vendimet ku do të trajtohen vendimmarrje të tjetërsimit ose dhënies në përdorim të pronave në favor të të tretëve, këto vendime duhet të merren dhe të miratohen me një shumicë të cilësuar të votave të këtij organi me jo më pak se 3/5 (tre të pestat) e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit.

Nëpërmjet këtyre dispozitave të ligjit nr. 139/2015, ligjvënësi ka parashikuar se vendimmarrja për tjetërsimin e pronës publike, që është në pronësi të pushtetit vendor, konsiderohet me shumë rëndësi dhe jetike për autonominë e pushtetit vendor dhe vendimmarrja mbi këto çështje duhet të realizohet nëpërmjet një shumice të cilësuar votash, duke diktuar kështu një mekanizëm monitorues dhe shprehës të vullnetit të qytetarëve mbi veprimtarinë e pushtetit vendor.

Ligjvënësi ka qenë i kujdesshëm që për këto çështje, kontrolli dhe balanca brenda funksionimit të vet organeve të qeverisjes së pushtetit vendor të parashikohet me ligj dhe për këtë, funksionimi dhe zbatimi i ligjit me objektivitet do të rrisë transparencën në vendimmarrje të kësaj natyre.

Por ndryshe nga kjo frymë që paraqet ligji ekzistues, rezulton se gjatë punës në Komisionin e Çështjeve Ligjore, Administratën Publikd dhe të Drejtat e Njeriut, është bërë një propozim i cili e prish këtë regjim të vendosur nga ligji ekzistues. Komisioni ka marrë në shqyrtim dhe ka pranuar propozimin e paraqitur nga relatori për ndërhyrje në dispozitat e mësipërme që trajtojnë kompetencat e Këshillit Bashkiak dhe vendimmarrjen e tij, në kuadër të ushtrimit të të drejtës së pronësisë të bashkive.

Konkretisht sipas dispozitave të nenit 3 dhe 4 të ligjit nr. 38/2019, të miratuar, objekt i këtij shqyrtimi, në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjes vendore”, janë miratuar këto ndryshime:

Neni 3

Në nenin 54 bëhet ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:

Shkronja “e” ndryshohet si më poshtë:

“e) miraton tjetërsimin e pronave të tretëve”.

Pas shkronjës “e” shtohet shkronja “e/1” me këtë përmbajtje:

“e/1) miraton dhënien në përdorim të pronave të tretëve ose dhënien për zhvillim të pronës nëpërmjet bashkëpunimit me subjekte private”.

Neni 4

Në nenin 55, pika 3, pas referencës në shkronjën “d” shtohet referenca në shkronjën “e/1”.

Siç rezulton qartësisht nga kjo ndërhyrje që propozohet të realizohet, në ligjin nr. 139/2015, ky ndryshim në ligj në thelb krijon një kompetencë të re për Këshillat Bashkiak, që është e drejta e këtyre të fundit për të hyrë në marrëdhënie juridike me persona të tretë për zhvillimin e pronës publike. Kjo kompetencë nuk ka qënë parashikuar më parë në ligj.

Sipas raportit të Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë, kjo ndërhyrje bëhet e nevojshme për shkak të dinamikës së zhvillimit infrastrukturor dhe urban të qyteteve, veçanërisht në dhjetëvjeçarin e fundit.

Parashikimi i një kompetence të re për Këshillat Bashkiak, është në vlerësim të Kuvendit të Shqipërisë, i cili nëpërmjet këtij ndryshimi ligjor synon të delegojë më shumë pushtet vendimmarrës në drejtim të organeve të qeverisjes vendore, por e rëndësishme është që kjo kompetencë e re të ushtrohet bazuar në parashikime të qarta ligjore që rregullojnë mënyrën se si kjo komptencë do të ushtrohet, në mënyrë që të respektohen parimet kushtetuese të nismës së lirë dhe konkurencës.

Presidenti i Republikës, konstaton se Kuvendi i Shqipërisë, me ndryshimet që ka vendosur të realizojë nëpërmjet nenit 3 dhe 4 të ligjit nr. 38/2019, po krijon një kompetencë të re për autoritetet vendore, por nuk ka parashikuar asnjë dispozitë mbi mënyrën ligjore se si këto autoritete (Këshillat Bashkiakë) do të formojnë vullnetin e tyre për të përzgjedhur subjektin me të cilin do të hyjnë në marrëdhënie për të zhvilluar pasuritë e paluajtshme në pronësi të tyre.

Kjo gjendje paqartësie, krijon shteg për abuzim dhe mundësi që në praktikë kjo kompetencë e re të keqpërdoret me pasoja të pariparushme për pronën publike dhe interesin publik.

Gjithashtu, e drejta për zhvillim e pronës në pronësi të pushtetit lokal është drejtpëdrejtë një mënyrë tjetërsimi i pasurisë së paluajtshme.

Pasuria e paluajtshme pronë publike në pronësi të organeve të qeverisjes vendore kur vendoset në dispozicion të zhvillimit të projekteve të përbashkëta me pronarë apo subjekte të tjerë privatë, humbet funksionin fillestar të saj, pasi përfshirja në projekte të përbashkëta zhvillimi bën të mundur krijimin e regjimeve të reja të të drejtave të pronësisë apo bashkëpronësisë dhe mënyrës së përdorimit të pasusisë së re që do të përftohet nga ky zhvillim.

Në këtë mënyrë përfshirja e pasurisë pronë shtetërore apo publike në një marrëdhënie zhvillimi me persona të tretë përbën në thelb tjetërsim të saj, pasi nga ky proces ndryshohet marrëdhënia e drejtpëdrejtë e pronarit (Këshillit Bashkiak) me pronën e vënë në dispozicion, ashtu sikundër ndryshojnë dhe raportet e pronësisë mbi pasurinë, për shkak se ajo transformohet në një pasuri tjetër të re ku marrin pjesë edhe persona të tjerë me të drejta pronësie të lidhura apo të shkrira ndërmjet tyre.

Në këtë mënyrë arsyetimi i bërë nga Komisioni i Çështjeve Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë se e drejta e tjetërsimit të pronës nuk përfshin të drejtën për dhënien për zhvillim të pronës të tretëve, nuk qëndron dhe është tërësisht i pabazuar.

Në këto kushte edhe ndryshimet e realizuara në nenin 4 të ligjit nr. 38/2019, nëpërmjet të cilave bëhet e mundur që vendimet e Këshillit Bashkiak për miratimin e dhënies për zhvillim të pronës nëpërmjet bashkëpunimit me subjekte private, të përfshihen në ato vendime për të cilat nevojitet një kuorum vendimmarrës i thjeshtë me shumicën e anëtarëve të Këshillit, siç parashikon neni  55, pika 3, e ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, është një vlerësim i gabuar dhe aspak objektiv.

Nëse Kuvendi i Shqipërisë, vlerëson ti japë autoriteteve vendore një kompetencë të re ligjore, që përfshin të drejtën për të bashkëpunuar me subjekte apo personave privatë për zhvillimin e pronës në pronësi të autoriteteve vendore, atëherë kjo e drejtë për të zhvilluar pronën, e cila përbën një nga mënyrat e tjetërsimit të pronës, duhet të përfshihet në ato raste ku vendimi për këtë çështje duhet të merret me një shumicë të cilësuar në Këshillin Bashkiak, pra me 3/5 e të gjithë anëtarëve të këshillit, siç parashikon sot neni 54, germa “e” dhe pika 3 e nenit 55 të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

Ndryshimet e propozuara dhe të miratuara në nenin 54 dhe 55 të ligjit nr. 139/2015, cënojnë kuorumin e nevojshëm të vendimmarrjes së Këshillave Bashkiake për çështje të tjetërsimit dhe zhvillimit të pronës në pronësi të pushtetit vendor, janë të pajustifikuara dhe nuk garantojnë mbrojtjen e interesit publik.

Nëpërmjet këtyre ndryshimeve që realizohen nëpërmjet nenit 3 dhe 4 të ligjit nr. 38/2019, ulet niveli vendimmarrës i kontrollit të organit kolegjial të Këshillit Bashkiak ndaj propozimeve dhe veprimtarisë të organit ekzekutiv të Kryetarit të Bashkisë, ç’ka krijon mundësi që zhvillimi i pronave të shtetit në bashkëpunim me persona të tretë të realizohet përkundrejt përfitimeve për shtetin që nuk përkojnë me kërkesat e ligjit, me realitetin dhe me kushtet që ofron tregu.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Për arsyet e parashtruara më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1, të nenit 85 të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 38/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore””, me qëllimin që Kuvendi i Shqipërisë të rishikojë nenet 3 dhe 4 të këtij ligji.