Pasi dorëzoi kallëzimin penal për ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në SPAK, Presidenti Ilir Meta ka treguar pse ka zbritur vetë në terren.

Para mediave, Meta tha se ajo që ka ndodhur është ngjarja më e rëndë në historinë e shtetit shqiptar, ndërkohë që po vlerësohen fakte të reja dhe persona të tjerë të përfshirë në atë që ai e ka cilësuar grusht shteti.

“E dorëzova vetë sepse mbrojtja e kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetueses është sot detyrë mbi detyrat për çdo shqiptar të ndershëm dhe patriot dhe në radhë të parë kryedetyra dhe misioni i presidentit të vendit. Nuk ka ndodhur ngjarje më të rëndë në historinë e shtetit tonë se ky akt mafioz ku së fundmi në bazë  të provave rezulton e përfshirë direkt edhe celula e strukturuar në krye të MD që përmes shkeljes së kushtetutës dhe dhunimit të shumë ligjeve dhe falsifikimeve të provuara ka tentuar grusht shteti duke rrëmbyer haptazi në mënyrë mafioze kompetencën që kushtetuta ia jep vetëm presidentit. Këto fakte tronditëse ishte e domosdoshme ti sillte vetë presidenti i vendit. Tashmë padia dhe kallëzimet për disa vepra të qarta për të cilat do të kemi komunikim publik. Padi bëmë për tre titullarë të lartë me në krye ministren ende në detyrë, po vlerësojmë prova të tjera dhe persona të tjerë të përfshirë për të cuar deri në fund shpartallimin jo vetem te grushtit te shtetit, por per te shpetuar kushtetuesen nga kjo bande teper e rrezikshme. Unë kam dalë në sheshin e betejës së vërtetë për çdo qytetar shqiptar që dëshiron të jetojë në liri dhe demokraci.  Nuk ka ndodhur në asnjë vend të Europës që të shkelet kushtetuta në këtë mënyrë. Nuk ka asnjë vend që të ketë ngelur asnjë minutë pa Gjykatë të Lartë. Nuk ka ndodhur asgjëkund një grusht i tillë shteti. Puna, provat dhe implikimi vazhdon. Të gjithë i pres më 2 mars kundër murtajës që do të zhbëjë shtetin e së drejtës dhe të ekzekutojë përfundimisht Kushtetutën e të gjithë shqiptarëve”– tha Meta.