Presidenti Ilir Meta ka dalë sot në një deklaratë për mediet, ku  iu përgjigj gazetarëve në lidhje me  nisjen e procedurave nga ana e PS-së për shkarkimin e tij.

Ai tha se Presidenti është i Republikës dhe Republika e shqiptarëve. “Presidenti është zgjedhur nga një Parlament plotësisht legjitim, jo nga ky. Presidenti i takon Republikës dhe Republika i takon shqiptarëve”.

Pyetjes së gazetarëve nëse do te kemi një datë të re zgjedhjesh, Meta tha se po punohet me qetësi dhe përgjegjësi.

“Po punoj me shumë qetësi dhe seriozitet. Presidenti mban shënim me shumë vëmendje çdo institucion që shkel ligjin. Dekreti mund të gjykohet edhe nga Gjykata e Skraparit që nuk ekziston. Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Vetëm ato sigurojnë çeljen e shpejtë të negociatave. Dekreti është në fuqi, është i zbatueshëm, është i detyrueshëm për të gjithë. Presidenti ka të drejtë që të bëjë thirrje për reflektim. Ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë duhet të jenë të sigurt që do të kenë të gjitha pasojat që do të provokojnë paqen sociale në vend”.

Këto deklarata, Presidenti Ilir Meta i bëri në aktivitetin e Kryqit të Kuq Shqiptar për dhurimin e gjakut.