Presidenti i Republikës,Ilir Meta, priti sot në një takim lamtumire Ambasadorin e Republikës së Malit të Zi në Shqipëri, Dušan Mrdović. Kreu i Shtetit i shprehu mirënjohjen diplomatit malazez për angazhimin e tij të palodhur për forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Gjatë takimit, Presidenti Meta theksoi se vendi ynë e vlerëson angazhimin euroatlantik të shtetit fqinj duke shtuar se bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve është hap për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Shqipëria vlerëson orientimin euroatlantik të Malit të Zi, si një partner të rëndësishëm, aleat në NATO dhe në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve tona është i rëndësishëm për forcimin e paqes, stabilitetit dhe orientimit euroatlantik të rajonit”, u shpreh Meta.